
Përgjimet në telefonat e Agasit e Beqirit zbulojnë biseda me kryeministrin dhe vëllain e tij; Agasi ishte ‘Koordinatori’ i Ramës për grupet kriminale, vota, emërime policie dhe ndarje tenderësh. Ilir Shtufi, në dosje, përgjime me Shkëlzen Berishën e Jamarbër Malltezin, kërkoi azil politik në Greqi duke pretenduar se SPAK e heton për motive politike, por ai është thjesht ortak me familjen ‘Berisha’…
Të dhënat e publikuara nga dosjet e SPAK-ut kanë nxjerrë biseda e mesazhe telefonike mes Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit për tenderët e AKSHI-t, toka e leje ndërtimi, emërime e shkarkime në qeveri, polici, futje deputetësh në listat e PS-së, grupin e kompanive në “Durana Park” etj.
Dhe nga dosja e SPAK-ut për ndërtuesin Ilir Shtufi janë publikuar disa biseda e mesazhe telefonike me ministra, drejtorë qendrorë, kryebashkiakë e biznesmenë, për ndarje tenderësh, lejesh ndërtimi, trojesh, tokash publike e ndarje llokmash.
Por shefat e SPAK-ut kanë nxjerrë pak të dhëna nga materialet faktike të deritanishme që hetuesit e BKH-së kanë pasqyruar në dosjen e Ergys Agasit e Ermal Beqirit dhe dosjen e Ilir Shtufit.
SPAK ka hedhur në publik ato prova që i kanë interesuar në funksion të akuzave të ngritura për ta, por nuk ka publikuar shumë prova që shkojnë deri në lidhje bashkëpunimi interesash me shefat e pushtetit “Rilindja”, kupolën e PD-së e familjarë të tyre.
Informacione nga burime brenda BKH-së bëjnë me dije për “Pamfleti” se në 3 numra telefoni e 2 kompjuterë të Ergys Agasit dhe në 2 numra telefoni e 1 kompjuter të Ermal Beqirit janë gjetur biseda e mesazhe me kryeministrin Edi Rama dhe Olsi Ramën edhe pas arratisjes së tyre.
Nuk janë përgjuar telefonët e kryeministrit Edi Rama dhe të Olsi Ramës, por ata kanë dalë gjatë përgjimeve dhe zbërthimit që SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit u ka bërë telefonëve dhe adresave elektronike të Ergys Agasit e Ermal Beqirit.
Këto biseda e mesazhe mes Agasit e Beqirit dhe Edi e Olsi Ramës i përkasin periudhës 2-vjeçare të hetimit, para se t’i pyeste SPAK-u gjatë muajve korrik-shtator 2025 e pas shpalljes në kërkim.
Sipas dosjes, zinxhiri i lidhjes ishte ky: Ergys Agasi ishte njeriu më i besuar i Edi Ramës për kontaktet me grupet kriminale që siguronin vota për PS-në, kundrejt shpërblimeve ekonomike, financiare dhe paprekshmërisë nga policia, SHISH-i, Antikontrabanda dhe Antitrafiku.
Me fuqinë si “Koordinator i suksesshëm”, Ergys Agasi kishte ndikim të plotë te kryeministri Edi Rama për të caktuar deputetë në listat e PS-së, por sipas përgjimeve të SPAK-ut dhe hetimeve të BKH-së, kishte krijuar suport e lidhje interesash të errëta dhe me Olsi Ramën.
Agasi kishte ndikim për të emëruar, transferuar e shkarkuar drejtues policie, kadastre, doganash, tatimesh, portesh detare, shefa SHISH-i në qarqe, shefa antikontrabande dhe për të ndarë tenderët në AKSHI e sektorë të tjerë, aq sa të gjithë e quanin “Shefi”.
Ndërsa Ermal Beqiri ishte maska e Ergys Agasit për tenderët në AKSHI, për krijimin e grupit të 111 kompanive që u futën në parajsën fiskale “Durana Tech Park”, për të dhënat sekrete të policisë, SHISH-it, tatimeve, doganave, si dhe “Koordinator” i grupeve kriminale për presione, rrëmbime e pengmarrje pronarësh të kompanive që rivalizonin në tenderët miliona euro.
Këto u pasqyruan dhe në raportin hetimor të BKH-së, pas kontrollit në zyrën e Ergys Agasit në ish-Bllok, ku gjetën një pajisje përgjimi që kishte regjistruar video-audio të gjitha bisedat me ministra, deputetë, drejtues të policisë, SHISH-it, institucioneve të tjera e oligarkë, por dhe me Olsi Ramën, informacione të cilat SPAK i mban sekret.
Në telefonin dhe adresat elektronike të ndërtuesit Ilir Shtufi, përveç bisedave me anëtarë të grupit “Aruba” dhe me qeveritarë, janë gjetur biseda me Shkëlzen Berishën e Jamarbër Malltezin, me objekt pastrim parash, përfitime tokash e lejesh ndërtimi nga Edi Rama dhe ndarje pjesësh.
Po sipas informacionit, rezulton se pas shpalljes në kërkim nga SPAK dhe arratisjes në Greqi, Ilir Shtufi i ka kërkuar Shkëlzen Berishës e Jamarbër Malltezit mbështetje publike nga Sali Berisha dhe ndikim në segmentet e tij brenda drejtësisë.
Këtë kërkesë e dekonspiroi edhe vetë Ilir Shtufi gjatë seancës gjyqësore në Selanik, ku tha:
“Më lironi dhe mos më ekstradoni në Shqipëri sepse kam kërkuar azil politik, pasi procesi penal i SPAK-ut kundër meje është vetëm për motive politike, ngaqë unë mbështes PD-në dhe opozitën.”
Në fakt, Ilir Shtufi nuk ka përkatësi politike si mbështetës i PD-së as i PS-së, por ka vetëm një ngjyrë: përfitimet ekonomiko-financiare prej qeverive të tyre dhe ndarje pjesësh me shefat e kupolës, siç është në ortakëri kullash e pastrim parash me familjen “Berisha”./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
