LAJME / E Hënë 25 Shtator 2023, 03:03

Do të ketë shpërblimin më të madh të dhënë ndonjëherë në një reality show, publikohet data e Squid Game në "jetën reale"

Një pjesë shumë e madhe e ndjekësve të rregullt të Netflix-it dhe jo vetëm, pak vite më parë u fiksuan totalisht pas "Squid Game", serialit tashmë të famshëm që theu rekord pas rekordi dhe i dha njerëzve shumë "drama" dhe adrenalinë nga historia dhe lojërat që shfaqeshin aty. E ndërkohë që sezoni i dytë i shfaqjes televizive është në punë e sipër për t'u realizuar, Netflix ka prodhuar edhe një Squid Game në jetën reale, një reality show ku njerëz normalë marrin pjesë në lojërat e serialit, por që në këtë rast nuk janë vdekjeprurëse. Mendojmë...

Faqja zyrtare e Netflix ka publikuar trailer-in përfundimtar të reality show-t, teksa po ashtu ka bërë me dije edhe datën e publikimit, 22 nëntorin. Në trailer shihen disa momente që tregojnë pak sfidat e konkurrentëve, me lojërat që janë njësoj dhe janë frymëzuar tërësisht nga sezoni i parë i serialit. 

Sigurisht, loja ka edhe një cmim të madh për fituesin dhe në mes të 456 pjesëmarrësve, triumfatori do të marrë në fund 4.56 milionë dollarë, që sipas Netflix, është shpërblimi më i madh i dhënë ndonjëherë në një reality show.