LAJME / E Premte 25 Shtator 2026, 09:09

Manjani: Turp që dalin nga dosja muhabete s*ksi, metodë hitleriane e hetimit që zhvesh njerëzit

Manjani: Turp për SPAK që nxjerr muhabete seksi, është metodë hitleriane e hetimit që zhveshin njerëzit

Juristi Ylli Manjani ka kritikuar me tone të forta SPAK-un për mënyrën e trajtimit të materialeve hetimore, duke e cilësuar publikimin e detajeve nga jeta private si një praktikë të papranueshme.

Duke marrë shkas nga dosja për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, Manjani deklaroi se opinioni publik nuk ka dijeni mbi përmbajtjen e plotë të dosjes hetimore, por vetëm për informacionet që, sipas tij, prokurorët kanë zgjedhur të bëjnë publike.

“Ne nuk dimë asgjë çfarë ka realisht në dosjen hetimore. Ne dimë vetëm atë që kanë dashur prokurorët të nxjerrin. Që janë muhabetet e seksit edhe të qejfit për me bërë qejf popullin me të. Të kënaqet populli me këtë histori, të shkatërrojnë familje. Të bëjnë këtë histori që vazhdojnë e bëjnë ata”, u shpreh Manjani në emisionin “Now” në Euronews Albania.

Ai akuzoi prokurorët se po përdorin të dhëna sensitive nga jeta private për të ndikuar te opinioni publik dhe për të dëmtuar familjet.

“Turp dhe faqja e zezë! Turp, shumë turp! Se ligji s’ju bën më fajde juve. Turp dhe faqe e zezë kushdo qoftë ai apo ajo që e ka bërë këtë, ka nxjerrë, ka ekstraktuar materiale të tilla sensitive të jetës private që duhet t’i ruajë prokurori si sytë e ballit, t’i nxjerrin në pazar për të bërë gjyqin, kjo është metodë hitleriane e hetimit”, deklaroi juristi.