LAJME / E Mërkurë 17 Qershor 2026, 17:05

"Do sjell dhe 20 mln euro, futi në fuçi 50 litërshe e groposi"/ Pastroi paratë e të vëllait, del fotoja e Isa Aliut

Salvadore Aliu, për të cilin SPAK ka lëshuar urdhër arresti në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro me burim nga aktivitetet kriminale.

Sipas hetimeve, një rol të rëndësishëm në administrimin dhe investimin e këtyre fondeve e ka pasur vëllai i tij, Isa Aliu. Ky i fundit rezulton të ketë në pronësi katër kompani, të cilat dyshohet se janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme, përfshirë troje, apartamente, vila, si dhe projekte ndërtimi dhe struktura hoteliere në zona turistike të vendit.

Një pjesë e rëndësishme e provave të mbledhura nga SPAK lidhet me komunikimet e zhvilluara në platformën e enkriptuar SKY ECC. Në këto biseda, Salvadore Aliu përdorte identitete të ndryshme si “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelo”.

Nga zbardhja e komunikimeve rezulton se në gusht të vitit 2020, Isa Aliu i ka raportuar të vëllait se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro. Rreth dy javë më vonë, Salvadore Aliu e ka njoftuar se priste të siguronte edhe 20 milionë euro të tjera. Në bisedat mes tyre, sipas dosjes hetimore, diskutohen edhe mënyrat për fshehjen e shumave të mëdha të parave deri në momentin e investimit të tyre. Një nga sugjerimet ka qenë vendosja e parave në fuçi 50-litërshe dhe groposja e tyre.

Hetimi ndaj Aliut nisi në maj të vitit 2020 pas një referimi të Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, ai dhe persona të lidhur me të përmes marrëdhënieve familjare dyshohen se kanë qenë pjesë e një organizate kriminale që trafikonte kokainë nga Ekuadori drejt vendeve të ndryshme evropiane.

Prokuroria e konsideron Salvadore Aliun si figurën qendrore të këtij rrjeti. Sipas dosjes, ai mbikëqyrte të gjithë zinxhirin e aktivitetit kriminal, duke filluar nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimi i ngarkesave, organizimi i transportit dhe furnizimi i grupeve të tjera kriminale në Evropë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se 50-vjeçari nga Elbasani konsiderohet një nga personat më të fuqishëm të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës që është hetuar ndonjëherë nga drejtësia shqiptare. Për vite me radhë ai ka qenë në vëmendjen e agjencive ligjzbatuese evropiane, të cilat kanë kërkuar të dokumentojnë aktivitetin dhe rolin e tij në rrjetet e trafikut të kokainës.

Sipas SPAK, emra të njohur të botës së krimit të organizuar shqiptar, mes tyre anëtarë të grupit të Çopjave, Eldi Dizdari dhe Dritan Gjika, kanë vepruar në struktura të lidhura me rrjetin e drejtuar prej Aliut. Hetuesit e lidhin emrin e tij edhe me grupin kriminal të Jetmir Pepës.

Aktiviteti i organizatës është dokumentuar për periudhën 2019-2021. Sipas hetimeve, gjatë këtyre viteve rrjeti dyshohet se ka futur në tregun evropian rreth 50 tonë kokainë. Deri tani janë provuar të paktën pesë episode të trafikimit në sasi të mëdha, në të cilat autoritetet kanë sekuestruar afro 9 tonë kokainë.

Në kuadër të këtij operacioni, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi 491 pasuri të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me anëtarët e grupit.

Nga këto, 266 janë pasuri të paluajtshme që përfshijnë toka, apartamente, vila, hotele dhe prona të tjera në disa zona të vendit. Pasuritë e sekuestruara shtrihen në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Dhërmi dhe Sarandë. Në listën e sekuestrimeve përfshihen gjithashtu automjete dhe asete të tjera me vlerë të konsiderueshme.

Sipas vlerësimeve të SPAK, vlera totale e pasurive të bllokuara arrin të paktën në 150 milionë euro, ndërsa hetimet për aktivitetin e rrjetit dhe gjurmimin e aseteve vijojnë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE