LAJME / E Hënë 7 Shtator 2026, 21:09

Detaje nga vr*sja e Eglant Kocit: Porosia e të dyshuarit për lavazhierët: Do vij ta marr vetë, vetëm lajeni mirë

TIRANË – Hetimet për vrasjen e Eglant Kocit vijojnë të zbardhin detaje të reja rreth lëvizjeve të autorit të dyshuar, Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim si personi kryesor i dyshuar për ekzekutimin e të riut, një krim që dyshohet se ka lidhje me transaksionet e kriptomonedhave dhe call center-ave.

Sipas dosjes hetimore, pas denoncimit për zhdukjen e Eglant Kocit, familjarët e tij orientuan policinë drejt një subjekti “Exchange” pranë Spitalit Ushtarak, ku viktima kryente konvertimin e monedhave virtuale. Megjithatë, administratori i subjektit deklaroi se viktima nuk ishte paraqitur për transferta prej më shumë se një muaji.

I dyshuari Armand Shakaj, i cili u pyet nga autoritetet në fazën e parë kur i riu rezultonte i zhdukur, pretendonte se ishte takuar me Kocin më 3 qershor, duke deklaruar se ky i fundit ishte i shqetësuar për fonde të humbura digjitale dhe baste online. Menjëherë pas marrjes në pyetje dhe lirimit të përkohshëm, Shakaj u zhduk dhe humbi kontaktet me policinë.

Pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan se Eglanti kishte vizituar mikun e tij më 4 qershor, ndërsa 40 minuta më vonë, një person i veshur me të zeza u largua me motorin e viktimës. Provë kyçe për hetuesit janë edhe pamjet e datës 5 qershor, rreth orës 23:30, ku Shakaj shfaqet duke tërhequr zvarrë një qese në formën e trupit të njeriut dhe duke e larguar me automjet.

Trupi i pajetë u gjet më vonë, ndërsa analiza e ADN-së konfirmoi se i përkiste Eglant Kocit. Për këtë ngjarje ndodhet në burg 25-vjeçari Ena Zyferi, student infermierie, i dyshuar për përkrahje të autorit dhe fikje të kamerave të sigurisë.

Në kuadër të veprimeve hetimore, Prokuroria ka marrë në pyetje edhe dy punonjës lavazhi, të cilëve Shakaj u kishte lënë automjetin tip “Porsche” me porosinë: “Do vij ta marr, vetëm lajeni mirë”. Gjatë pastrimit, lavazhierët kanë vënë re në dyshemenë e mjetit, pas ndenjëses së shoferit, praninë e një lëngu të kuq që ngjasonte me gjak, dëshmi kjo që i ka shërbyer grupit hetimor për të dokumentuar lëvizjet e autorit pas krimit.