LAJME / E Diel 26 Korrik 2026, 12:12

Detaje nga aksidenti tragjik në Itali që i mori jetën të riut nga Vitia

Një lajm i rëndë ka prekur familjen Emërllahu dhe banorët e fshatit Ramjan të Vitisë. Dion Emërllahu, 19 vjeç, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi disa ditë më parë në Itali.

Lajmi për vdekjen e të riut është bërë i ditur nga faqja e fshatit Ramjan, ku thuhet se ai ishte nisur nga Franca drejt Kosovës së bashku me familjen për të kaluar pushimet.

Sipas raportimeve të mediave italiane, aksidenti kishte ndodhur më 21 korrik në autostradën A4, pranë Calcinatellos, në drejtim të Veronës. 19-vjeçari po drejtonte një furgon kur, për shkaqe që ende po hetohen nga autoritetet italiane, automjeti u përplas me një kamion.

Pas aksidentit, ekipet e emergjencës i dhanë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas ai u transportua me helikopter në Spitalin Civil të Brescias, ku mjekët luftuan për t’ia shpëtuar jetën. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, aksidenti ndodhi rreth orës 11:15. Familja Emërllahu po udhëtonte drejt Kosovës me dy automjete. Në njërin ndodheshin babai i Dionit, Avniu, së bashku me pjesën tjetër të familjes, ndërsa në automjetin tjetër po udhëtonte vetë Dioni.

Familjarët kanë bërë të ditur se trupi i pajetë i 19-vjeçarit ndodhet ende në Itali, ndërsa detajet lidhur me ceremoninë e varrimit do të bëhen publike pasi të përfundojnë procedurat për kthimin e trupit në Kosovë.

Vdekja e Dion Emërllahut ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe bashkëfshatarët e tij, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin me familjen në këtë humbje të rëndë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE