LAJME / E Enjte 10 Gusht 2023, 23:11

Dështojnë dy atentate në Vlorë/ Pas arrestimit të 35-vjeçarit, xhaxhai dhe nipi kapen me mina me shpërthim në distancë (EMRAT)

Fatjon dhe Ergys Gjonaj kanë rënë në prangat e polcisë ditën e sotme, pasi u kapën duke lëvizur me mjete shpërthyese në Vlorë.

Xhaxhai me nipin kishin dy mina, të cilat ishin të programuar për shpërthim në distancë. Nuk dihet ende se kush ishte shënjestra e atentatit që po përgatisnin dy familjarët.

Sipas uniformave blu, ky atentat i planifikuar ka lidhje me ndalimin e 35-vjeçarit Amarildo Nikolli (Xhane) dy ditë më parë në qytetin bregdetar.

35-vjeçari u arrestua teksa po lëvizte me një armë të pajisur me silenciator dhe gati për të kryer vrasje.

Policia e Vlorës informon se ‘strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë dhe të mbështetura nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin e koduar “Knock Out 2”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

F. Gj., 33 vjeç, banues në Burrel dhe E. Gj., 19 vjeç, banues në Laç (xhaxhai dhe nipi).

Shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Vlorës, ndaluan automjetin me të cilin lëviznin 2 të arrestuarit. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e këtyre 2 shtetasve, si dhe për kapjen e 2 subjekteve të tjera të dyshuara të përfshira në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.’