
Një vdekje tragjike u regjistrua në spitalin Amerikan në Tiranë pas një ndërhyrje kirurgjikale estetike. 28-vjeçrja Irida Hasalla humbi jetën dhe nuk e përballoi dot operacionin. Mësohet se e ndjera vuante edhe nga kanceri.
Operacioni u krye në orën 14:30 minuta të hënën e 29 janarit ndërsa humbi jetën një ditë më pas.
Vëllai ka treguar se Irida ka qenë mirë pas operacionit. Në një moment ka dashur të shkojë në banjo dhe një infermiere i kanë thënë që mund të shkonte vetë. Në momentin kur është ngritur në këmbë është rrëzuar i kanë rënë trombozë.
“Në orën 10:00 ka dashur të shkojë tualet një nga infermierët i thotë shko vetë. Në momentin që është ngritur është rrëzuar, i ka rënë trombozë. Pastaj u fut në sallën e operacionit ishte pa ndjenja 6 orë” thotë i vëllai.
Ndërsa shoqja e saj e cila i ka qëndruar pranë ka thënë se nuk është bërë gjilpëra që parandalon trombozë dhe as nuk i ishin veshur çorapet që duhen në këtë rast.
Policia ka nisur hetimet në lidhje me rastin pasi familjarët kanë bërë denoncimin. Bëhet me dije se janë marrë në pyetje familjarët dhe mjekët që kanë marrë pjesë në operacion.
Mjekët që janë marrë në pyetje kanë deklaruar se kanë ndjekur të gjitha rregullat standarde që kryhen për operacione të ngjashme, megjithatë prokuroria ka kërkuar që të verifikohen të gjitha lëvizjet dhe detyrat që janë kryer që nga momenti që vajza ka shkuar për të kryer ndërhyrjen, deri kur ka ndërruar jetë.
Janë sekuestruar dokumentacionet e plota të ndërhyrjes, përfshirë kartelën mjekësore në spital dhe materiale të tjera me rëndësi për hetimin, i cili është në fazë fillestare.
‘Ditën e djeshme, më datë 30.01.2024, është marrë njoftim se në një spital privat, pas një operacioni, ka ndërruar jetë shtetasja I. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë. Pas marrjes së njoftimit, në drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.’- njofton policia.
