
Në këto ditë të nxehta Gushti vëmendja e mediave italiane është fokusuar si rrallë herë mbi Shqipërinë. Jo vetëm prej bumit turistik që po përjeton vendi ynë, por edhe politika dhe politikanët shqiptarë duken interesantë për to. Kështu “Corriere della Sera” ka publikuar një profil të gjatë për kryeministrin shqiptar qëkur ai nisi të merrej me politikë.
“Kur Edi Ramës i ra ndërmend në fund të vitit 2000 si kryebashkiak i sapozgjedhur i Tiranës, se qyteti ishte i trishtë, gri, dhe kishte nevojë për ngjyra dhe mbi të gjitha se lumi i Lanës duhej pastruar duke prishur të gjitha kioskat që ishin ndërtuar buzë saj, dikush filloi të frikësohej për sigurinë e tij fizike. Mbi të gjitha kryebashkiaku Rama donte të fitonte mbi një sistem që për një dekadë ishte bazuar në ndërtime ekstreme të paligjshme dhe korrupsion. Jo vetëm në kryeqytet, por kudo në Shqipëri”.
Karriera si kryeministër,marrëdhëniet e tij me kundërshtarët brenda vendit, por edhe spikatja në arenën ndërkombëtare, e kanë bërë Ramën të tërheqë shpesh vëmendjen, shkruan gazeta italiane.
“Me një opozitë që po përpiqet të gjejë liderin e saj të referencës, kryeministri shqiptar është bërë i njohur jashtë vendit nga njëra anë për gjestet që bien në kundërshtim me trendin e kohës (ai ishte i pari në botë që garantoi azil për refugjatët afganë pas kthimit të talebanëve) ose linjën e drejtpërdrejtë me liderët serbë edhe në mes të tensioneve me Rusinë dhe Kosovën”.
“Corriere” e etiketon Ramën si një lider europianist dhe me një lidhje të veçantë me Italinë.
“I dashuruar me Italinë, Edi Rama nuk humb rastin të thotë se të dy vendet janë thuajse pjesë e të njëjtit realitet dhe se italianët janë “vëllezër” të shqiptarëve.Një evropianist i hekurt, ai ka pohuar prej kohësh se “Shtetet e Bashkuara të Evropës” duhet të ndërtohen sepse “është e vetmja mënyrë për të garantuar një të ardhme për kontinentin”, por çdo herë ai zhgënjehet nga Brukseli që shtyn hyrjen e vendit në Union për arsye të ndryshme”.
E përditshmja italiane merr në analizë dhe trashëgiminë e kryeministrit duke cituar anëtarësimin në BE si sfidën e fundit para largimit nga politika. Në shkrim thuhet se zyrtarisht, ai nuk ka caktuar një “pasardhës”, por sipas gazetës të gjithë sytë janë tek Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës.
