
Një pushtim izraelit i Gazës do të ishte një gabim i madh, tha presidenti amerikan Joe Biden në një intervistë për media.
I pyetur nëse do ta mbështeste një veprim të tillë, ai tha: “Unë mendoj se do të ishte një gabim i madh. Shikoni, ajo që ndodhi në Gaza, sipas mendimit tim, është Hamasi dhe elementët ekstremë të Hamasit, të cilët nuk përfaqësojnë të gjithë popullin palestinez. Dhe unë mendoj se … Do të ishte gabim që … që Izraeli ta pushtonte”.
Ai tha se besonte se Hamasi duhet eliminuar tërësisht, por shtoi se “duhet të ketë një autoritet palestinez. Duhet të ketë një rrugë drejt një shteti palestinez.”
I pyetur nëse ai besonte se Izraeli do të ndiqte një zgjidhje me dy shtete, e cila ka qenë politika e SHBA për dekada, pas sulmit të Hamasit, Biden tha:
“Jo tani. Por – por mendoj se Izraeli e kupton që një pjesë e konsiderueshme e popullit palestinez nuk ndajnë pikëpamjet e Hamasit dhe Hezbollahut”, tha Biden.
