LAJME / E Shtunë 18 Korrik 2026, 13:01

Babai vret 21-vjeçarin që e konsideronte fajtor për vdekjen e djalit të tij

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kretës në Greqi, ku një histori që zanafillën e kishte në një aksident tragjik të ndodhur tre vite më parë përfundoi me një tjetër viktimë.

Viktima është Nikitas Gemistos, 21 vjeç, i cili u vra me armë zjarri në mes të rrugës, në zonën e Amoudaras, në Heraklion.

Sipas raportimeve të mediave greke, i dyshuari për vrasjen është Kostas Parasiris, 54 vjeç, babai i mikut të viktimës, Giorgos Parasiris, i cili kishte humbur jetën pas një aksidenti automobilistik në vitin 2023.

Historia mes dy familjeve nisi natën e 20 tetorit 2023. Nikitas, në atë kohë 18 vjeç, po udhëtonte me automjet së bashku me mikun e tij 17-vjeçar, Giorgos, kur makina doli nga rruga bregdetare dhe u përplas me forcë me një shtyllë ndriçimi.

Si pasojë e aksidentit, Giorgos pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua në spitalin Venizelio, ku qëndroi për 19 ditë në terapi intensive. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 17-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.

Edhe Nikitas mbeti i plagosur rëndë në aksident dhe iu desh një periudhë e gjatë trajtimi dhe rikuperimi.

Sipas mediave greke, pas humbjes së djalit, 54-vjeçari dyshohet se vazhdimisht e konsideronte Nikitasin përgjegjës për tragjedinë. Nga ana tjetër, raportohet se i riu kishte kërkuar që rrethanat e aksidentit të sqaroheshin përmes procesit gjyqësor, me shpresën se do të vërtetohej se ai nuk mbante përgjegjësi për vdekjen e mikut të tij.

Por, rreth tre vite pas aksidentit, ngjarja mori një kthesë tjetër tragjike.

Sipas hetimeve të deritanishme, 54-vjeçari dyshohet se e ka qëlluar disa herë me armë zjarri 21-vjeçarin në mes të rrugës, duke i shkaktuar plagë fatale. Pas ngjarjes, ai raportohet se është dorëzuar në polici.

Mediat lokale raportojnë se pas dorëzimit, i dyshuari u ka thënë autoriteteve: “Bëra atë që duhej të bëja”. Rrethanat dhe motivi i plotë i krimit janë pjesë e hetimeve të autoriteteve greke.

Vrasja e Nikitasit ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal, ndërsa ceremonia mortore e 21-vjeçarit u zhvillua në një atmosferë të rënduar emocionale në zonën e Mylopotamosit.

Dhjetëra familjarë, miq dhe banorë të zonës u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut.

Gjatë ceremonisë u raportuan edhe momente tensioni mes familjarëve të viktimës dhe forcave policore. Të afërmit, të revoltuar nga ajo që kishte ndodhur, u kërkuan efektivëve të largoheshin, ndërsa në pamjet e publikuara në mediat greke dëgjohen familjarë duke thënë: “Erdhët tani që e vranë”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE