
TRAGJEDI E PAZAKONTË NË GREQI: Çifti i ri u gjet i pajetë në makinë, zbardhet skenari tronditës që po hetojnë autoritetet
Një tragjedi që ka tronditur opinionin publik në Greqi vazhdon të mbetet në qendër të hetimeve, pasi një avokat 28-vjeçar dhe partnerja e tij 24-vjeçare u gjetën të pajetë brenda një automjeti të parkuar në garazhin e mbyllur të një pallati në Pire. Skenari kryesor që po hetojnë autoritetet është helmimi nga monoksidi i karbonit ose gazrat e shkarkimit të automjetit, megjithëse përgjigjja përfundimtare pritet nga autopsia dhe analizat toksikologjike.
Sipas mediave greke, të rinjtë u zbuluan nga babai i 28-vjeçarit, i cili zbriti në garazh në orët e paradites dhe i gjeti pa shenja jete brenda automjetit. Ai tentoi t’u jepte ndihmën e parë dhe njoftoi menjëherë ambulancën, por mjekët vetëm sa konstatuan vdekjen e tyre.
Hetimet e deritanishme kanë përjashtuar shenjat e dhunës, ndërsa nuk janë konstatuar plagë apo dëmtime në trupat e viktimave. Për këtë arsye, policia greke ka lënë mënjanë pistën e vrasjes, ndërsa edhe mundësia e vetëvrasjes nuk konsiderohet si skenari kryesor në këtë fazë të hetimit.
Ekspertët dyshojnë se automjeti kishte motorin dhe sistemin e klimatizimit të ndezur, ndërkohë që garazhi ishte plotësisht i mbyllur. Në këto kushte, gazrat toksikë mund të jenë grumbulluar në hapësirën e mbyllur dhe më pas të kenë hyrë në kabinën e automjetit përmes sistemit të ventilimit, duke bërë që çifti të humbte ndjenjat brenda pak minutash.
Mjekët ligjorë theksojnë se vetëm autopsia dhe analizat laboratorike do të përcaktojnë me saktësi nëse vdekja është shkaktuar nga monoksidi i karbonit apo nga gazra të tjerë të motorit. Ndërkohë po kryhen edhe ekspertiza teknike mbi automjetin dhe sistemin e ventilimit të garazhit.
Vdekja e të riut ka prekur thellë komunitetin juridik dhe sportiv në Athinë. Viktima, Jasoni, ishte një avokat i ri me perspektivë, anëtar i Dhomës së Avokatëve të Athinës dhe futbollist aktiv i ekipit të avokatëve “Drakon”. Kolegët dhe miqtë e kanë përshkruar si një njeri të buzëqeshur, të respektuar dhe me një të ardhme të ndritur përpara.
Policia greke vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie, ndërsa rezultatet e ekspertizave pritet të japin përgjigjen përfundimtare mbi mënyrën se si dy të rinjtë humbën jetën, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
