LAJME / E Hënë 5 Qershor 2023, 10:10

Arrestimi i Sekretares së Manastirliut, PD zyrtare kërkon që ministrja të dorëhiqet dhe SPAK ta vendosë nën hetim

Partia Demokratike zyrtare kërkon që Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK) të hetojë e Ministren së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sosicale, Ogerta Manastirliu, pas skandalit se Sekretarja e MSHMS, Joana Duro u kap me ryshfet 330 mijë lekë për dhënien një tenderi për kompaninë “DRICONS”.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët për shtyp të grupit parlamentar kundër “Foltore”, PD zyrtare shprehet se fakti që nuk ka pasur asnjë reagim nga kjo ministri, ngjall dyshimet se Manastirliu është në dijeni të skandalit me tenderit, ndaj nuk duhet të mbrohet nga drejtësia.  Ndaj, ajo duhet të japë dorëheqjen dhe të vihet në ndjekje nga SPAK.

“Sot është koha që SPAK të mos bëhet sërish mburojë e korrupsionit të nivelit më të lartë politik në Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu nuk mund të bëjë sikur nuk e di çfarë ndodh me tenderat në Ministrinë e saj. Zotërinj të SPAK-ut, mos bëni sikur nuk e dini këtë! Hetoni edhe Ogerta Manastirliun! Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar”, shkruhet fillimisht në deklaratën e PD së “vulës”.

Për këto arsye, fraksioni demokrat pro-Bashës kërkon personalisht nga ministrja Manastirliu që të dorëhiqet. “Kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm”, mbyllet qëndrimi i PD zyrtare për ngjarjen e fundit korruptivo-shtetërore në Shqipëri.