5 janar 2023, FSHF prezantoi zyrtarisht Sylvinho-n si trajnerin e ri të Shqipërisë, një vendim që befasoi jo pak opinionin sportiv pasi Sylvinho sapo kishte përfunduar aventurën e tij si ndihmës trajner i Brazilit pasi një Botërori jo pozitiv në Katar. Emri i tij bëri zhurmë duke iu referuar edhe CV, jo shumë të larmishme, por kjo është një nga ato historitë me fund të lumtur. Në më pak se një vit, Sylvinho arriti të dërgojë Shqipërinë në Evropian, këtë e bëri me një lojë të bukur dhe me shifra bindëse.

Në tetë ndeshje në krye të Shqipërisë, 7 ndeshje zyrtare dhe një miqësore me Bullgarinë, Sylvinho ka arritur 5 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. 14 gola të shënuar në 8 ndeshje dhe vetëm 4 të pësuar, por ka në dispozicion edhe një ndeshje për të përmirësuar shifrat e tij. Sylvinho pranoi bastin për të drejtuar Shqipërinë, madje pranoi që në kontratë të vendosej edhe kusht kualifikimin në Evropian.


Zyrtarisht, Sylvinho-s i përfundon kontrata në qershor, në atë kohë do të jetë në Gjermani, për të udhëhequr Shqipërinë në Evropian, por deri në atë kohë, palët do të ulën sërish në tavolinë për të diskutuar rinovimin e kontratës. Me Sylvinho është e qartë që Shqipëria ka bërë një goditje fantastike, presidenti Duka dhe stafi i tij do të bëjnë gjithçka për të mbajtur brazilianin edhe për shumë kohë në krye të ekipit përfaqësues, por tregu lëviz shpejt, këtë e di më së miri edhe presidenti Duka, për të mbajtur tashmë Sylvinho-n duhen kushte të tjera.