
Pasi braktisën shtëpinë dhe tokën e tyre për t’iu larguar luftës në Kosovë, familja e Sadikut dhe Shpresës mbërritën në Tiranë, në shtëpinë e miqve të tyre, Guidos dhe Lilianës. Çifti me 5 fëmijë u vendos në apartamentin e Guidos dhe Lilianës, të cilët nuk kursyen asgjë.
Në rrëfimin e tyre për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”në Tv Klan, Sadiku dhe Shpresa kujtojnë mikpritjen e Guidos dhe Lilianës jo vetëm ndaj familjes së tyre, por edhe ndaj shumë njerëzve për të cilët hapën derën e shtëpisë dhe zemrës.
Ardit Gjebrea: Ata kishin një shtëpi të madhe?
Ardit Gjebrea: Po ku flinit, si flinit?
Sadik: Shtëpinë e shpirtit e kishin të madhe. Kishin një kuzhinë, dhomën e tyre dhe një dhomë tjetër më e vogël ku profesori kishte kompjuterin ku punonte në atë kohë.
Ardit Gjebrea: Dy dhoma e një kuzhinë?
Sadik: Dy dhoma e një kuzhinë, ne me 5 fëmijët u vendosëm në atë dhomën tjetër, jo vetëm ne, por erdhi vëllai i Shpresës, i zunë rob që ishte profesor matematike dhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare.
Ardit Gjebrea: Edhe vëllai i Shpresës u vendos në atë shtëpi?
Sadik: Edhe vëllai i Shpresës për të cilin kishte ardhur sa e sa herë lajmi se ka vdekur, çdo ditë dilnim për të pyetur për njerëzit tanë.
Ardit Gjebrea: 3 muaj, 11 vetë në dy dhoma e kuzhinë?
Sadik: Po dhe jo vetëm kaq, por telefoni i tyre cingërronte vazhdimisht sepse shtëpia e profesor Guidos dhe Lilit u shndërrua në një shtëpi informacioni, në një shtëpi ku bëhej furnizimi, komunikimi.
Ardit Gjebrea: Si një bazë lufte në thonjëza.
Sadik: Si bazë lufte. Aty kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aty kanë ardhur veprimtarë kombëtarë të ndryshëm, kanë emra, kanë mbiemra. Edhe tjetra, tani ku të laheshin ata që vinin të palarë nga lufta? Hajde te profesor Guido ose te nëna e Lilit, edhe ajo kishte apartamentin e vet, edhe ata e kishin lëshuar.
Gjestet e mirësisë nuk ndodheshin vetëm në shtëpinë e sigurtë të Guidos dhe Lilianës. Sadiku kujton një episod nga dikush, emrin e të cilit nuk e di por do ta vlerësojë gjithmonë ndihmën e tij.
Sadik: Në atë kohë pija duhan. Profesor Guido pranë meje mbante tavllën, pinim duhan të dy dhe shkundja cigaren në dorën e profesorit, më vinte turp. Shoh unë, s’ka tavolinë dhe një ditë shoh një dyqan, futem brenda dhe pyes a ka ndonjë tavolinë të vogël, për ta blerë. Dhe sapo futem, mirëdita, sa kushton kjo tavolinë, ai menjëherë e mori vesh që unë isha nga Kosova. Tha “kjo tavolinë s’ka çmim hiç, merre”.
Sadik: “Dëgjo edhe tjetrën”, tha, “nëse dëgjon që ndonjë familje ka nevojë për strehim, unë kam mjaft hapësirë, kam dy shtëpi. Dërgoji te unë, unë i pranoj, ja ku jam këtu”./tvklan.al
