LAJME / E Hënë 6 Nëntor 2023, 10:10

Aksident tragjik në Australi. Makina përplaset me lokalin, pesë të vdekur, mes tyre edhe fëmijë

AUSTRALI- Pesë persona, përfshirë dy fëmijë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një lokal në një qytet të njohur rural dhe turistik australian, kur një makinë përplasi klientët e ulur në tavolinat në oborrin e përparmë.

Katër persona vdiqën menjëherë në Daylesford, rreth 110 kilometra në veriperëndim të Melburnit, tha policia. Një vajzë që u transportua me helikopter në spital u kurua për plagët e marra.

Sipas oficerit të policisë Shane Patton, mjeti u ngrit në një trotuar dhe më pas u fut në një zonë me bar jashtë hotelit dhe Pub Royal Daylesford. Në atë kohë “ishin një numër i madh njerëzish, të ulur në tavolina. Automjeti u përplas me tavolina dhe njerëz”, shtoi Patton, duke folur për shtypin.

Policia nuk ka qenë ende në gjendje të thotë nëse viktimat kishin lidhje, apo nëse ngjarja ishte për shkak të shpejtësisë së shoferit. Ai ka sqaruar se viktimat kanë qenë vizitorë, por në këtë fazë nuk janë identifikuar.

Shkaqet dhe rrethanat e sakta të tragjedisë nuk janë zbardhur. Shoferi 66-vjeçar është dërguar në spital, por mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.