LAJME / E Mërkurë 11 Tetor 2023, 16:04

300 mijë forca izraelite rrethojnë Gazën, shkon në mbi 2100 numri i viktimave nga konflikti

Bombardimet izraelite vijojnë ditë e natë në territoret e kontrolluara nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Vetëm në orët e para të kësaj të mërkure, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer një numër rekord prej 250 sulmesh ajrore në orë kundër objektivave të Hamasit.

Synimi është spastrimi i njësive të Hamasit nga zonat pranë kufirit me Izraelin për t’i lënë rrugën e lirë trupave tokësore të nisin sulmin e madh, të cilin kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e ka konsideruar si “katastrofë të madhe” që do t’i ndodhë Rripit të Gazës, si hakmarrje për sulmin e befasishëm të nisur të Shtunën në jug të Izraelit nga Hamasi. 300 mijë rezervistë janë mobilizuar për luftë.

Nuk kanë munguar kundërpërgjigjet me breshëri raketash nga Hamasi drejt Izraelit, ndërsa numri i viktimave mes të dyja palëve ka arritur në mbi 2 100. Këtë të Mërkurë, Izraeli njoftoi rritjen e bilancit në 1200 të vdekur, ndërsa palestinezët në 900.

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje civilëve të largohen sa më shpejt nga shtëpitë e tyre dhe shumë prej tyre tashmë kanë marrë arratinë drejt Egjiptit.

Ushtrisë izraelite po i vijnë ndihma logjistike nga Shtetet e Bashkuara. Nuk përjashtohet mundësia që pas nisjes së sulmit në Gaza, Hezbollahu, aleati libanez i Hamasit të nisë një sulm kundër veriut të Izraelit, bombat e të cilit nuk kanë munguar në këto ditë.

Nga selia e shenjtë në Vatikan, Papa Françesku drejtoi një lutje të veçantë në nderim të viktimave, nga të dyja palët, ndërsa bëri thirrje që palët të ndalin dhunën dhe të ulen në dialog.

Papa Françesku: Ata që sulmohen kanë të drejtë të mbrojnë veten, por jam shumë i shqetësuar për palestinezët e rrethuar në Gaza, ku po ashtu ka shumë viktima të pafajshme.

Ndërsa presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kritikoi Izraelin për masakra ndaj të pafajshmëve.

Reçep Tayyip Erdogan: Është i papranueshëm masakrimi i njerëzve të pafajshëm në Gaza, me bombardime që nuk bëjnë dallim. Kjo nuk është luftë, kjo është masakër.

Parlamenti gjerman mbajti 1 minutë heshtje për viktimat e konfliktit të nisur të Shtunën, ndërsa dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.