
Tre të rinj të moshës 20-vjeçare kanë humbur jetën, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur mbrëmjen e djeshme në Kosovë pasi u goditën nga një makinë që bënte gara në rrugë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova, pranë Prizrenit.
Siç rapotojnë mediat në Kosovë, gjatë një gare shpejtësie, njëra prej makinave që drejtohej nga Arlind Syla ka dalë nga rruga dhe ka goditur disa persona që po ndiqnin garën.
Goditja ka qenë e fortë dhe për pasojë Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj kanë humbur jetën.
Ndërkohë që tre persona të tjerë emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur kanë marrë lëndime dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.
Policia e Kosovës tha se dyshohet që drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka dalë nga rruga.
Ndërkohë me urdhër të prokurorit, drejtuesi i automjetit që shkaktoi këtë aksident tragjik është arrestuar, ndërsa grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij aksidenti.
