
Greqia mban këtë të dielë zgjedhjet lokale, por nuk mungojnë parregullsitë dhe arrestimet për blerje votash. Autoritetet njoftuan arrestimin e 3 personave në zonën e Kardisës të akuzuar për blerjen e 500 kartave të identitetit me nga 50 Euro secila.
4 persona të tjerë u shpallën në kërkim për këtë rast të cilët akuzohen se kishin pasur rolin e ndërmjetësuesve mes blerësve dhe votuesve. Nga kontrollet në banesat e të arrestuarve u gjetën lista me emra të shkruara me dorë të personave që kishin shitur kartën e identitetit si dhe rreth 26 mijë Euro në kesh.
Të arrestuarit, për të cilët mediat greke thonë se janë kandidatë për këshillin bashkiak të qytetit do të dalin të hënën përpara gjykatës dhe do të akzuohen për krim zgjedhor. Edhe në zgjedhjet muajit Maj në këtë zonë u arrestuan 5 persona me akuzën e blerjes së votave me 50 Euro secili, ndërsa me vete iu gjetën 197 karta identiteti si dhe një çantë me dhjetëra fletëvotimi.
3 ditë para zgjedhjeve u arrestua edhe kandidati për kryetar bashkie i Mesolongjisë, Panajotis Kaculis. Ai u mbajt në paraburgim pasi nuk respektoi lejen e dhënë për mbajtjen e një mitingu duke e zhvilluar atë 24 orë më herët. Këtë të dielë, autoritetet thonë se procesi po ecën i qetë edhe pse zv.ministri i Brendshëm, Theodoros Livanios pranoi se në nisje të tij pati disa probleme.
Disa qendra u hapën me vonesë për shkak se mungonin anëtarët e komisioneve ndërsa në një tjetër kishte problem vula. Janë rreth 9.7 milionë grekë me të drejtë vote. Kjo është sfida e parë e kryeministrit Qirakos Mitsotakis me kreun e ri të lëvizjes Syriza.
