LAJME / E Premte 20 Tetor 2023, 21:09

Sulm me armë, plagosen tre persona në Prishtinë

KOSOVË- Përplasje me armë zjarri në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme (20 tetor), në lagjen “Lakrishtë” ku raportohet se tre persona kanë mbetur të plagosur.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar plagosjen e tyre dhe ka treguar se ato janë dërguar për të marrë trajtim mjekësor në spital.

Ahmeti ka thënë se policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorinë po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar si autorë të plagosjes.

“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë.Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë ajo.