Kamerat që regjistruan pamjet e Adi Hilës, eksperti tregon detajin kyç

Publikimi i videove private të lidhura me kompozitorin Adi Hila ka ngritur një tjetër pikëpyetje:
përse kamera që ka regjistruar pamjet ishte pozicionuar në atë mënyrë dhe si kanë përfunduar materialet në duart e personave të tjerë?
Për këtë çështje ka folur eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i cili,
i ftuar në “News24 Fundjavë”, analizoi pozicionimin e kamerës dhe versionin se pajisjet ishin instaluar për sigurinë e pronës.
Softa bëri fillimisht një dallim mes kamerave të zakonshme të sigurisë dhe kamerave të vendosura për të regjistruar në ambiente private.
“Kamerat e sigurisë duhet të ndahen nga kamerat e fshehta. Këto të dytat vendosen sepse prona jote mund të rrezikohet apo abuzohet. Kur e përdor si një ambient privat, gjërat ndryshojnë. Kamera ishte e drejtuar drejt krevatit, jo, për shembull, në drejtim të kasafortës”, tha ai.
Pikërisht orientimi i kamerës është elementi që, sipas Softës, ngre dyshime mbi funksionin që ajo kishte.
“Nuk ka qëllime sigurie, por marrje të pamjeve. Fakti që kemi pamje filmike që kanë intimitet, tregon se qëllimi i vendosjes së kamerave ishte i ndryshëm nga ai i sigurisë”, deklaroi eksperti.
Një tjetër element i rëndësishëm është pretendimi për hakerimin e sistemit. Hila, sipas raportimeve të deritanishme, u ka thënë hetuesve se kamerat ishin vendosur për sigurinë e banesës, ndërsa ka ngritur dyshimin se sistemi mund të jetë hakuar.
Softa thotë se pikërisht këtu duhet të përqendrohet një pjesë e verifikimeve.
“Nëse flasim për hakerim, duhet të flasim për pse. Kur flasim për hakerim, dikush ka hyrë në sistem dhe ka thyer kodin e sigurisë. Kur personi në fjalë thotë ‘nuk kam pasur filmim’, duhet parë se si është hakeruar”, u shpreh ai.
Eksperti shpjegoi gjithashtu se regjistrimet e kamerave mund të ruhen në një sistem arkivimi, çka do të thotë se nuk është e nevojshme që dikush të jetë duke i monitoruar ato vazhdimisht.
“Nuk do të hyjë dikush 24 orë të kontrollojë një kamera që ke vendosur ti. Pamjet janë ruajtur diku si arkivë”, tha Softa.
Ai përmendi edhe Telegramin, duke deklaruar se në këtë platformë ekzistojnë grupe ku qarkullojnë materiale të siguruara nga kamera të ndryshme dhe se materiale të tilla mund të publikohen, shiten apo përdoren për shantazh.
Për momentin, mënyra konkrete se si janë siguruar videot e lidhura me Hilën dhe personi apo personat që i kanë nxjerrë në qarkullim mbeten çështje për t’u sqaruar nga hetimi.



