Isha vetëm 14 vjeçe…”/ Vesa Smolica del në mbrojtje të Klaudia Hilës: “Më mbajti në shtëpinë e saj si vajzën e vet, nuk i harroj

Nga Class• 4 October 2026

Isha vetëm 14 vjeçe…”/ Vesa Smolica del në

Këngëtarja nga Kosova, Vesa Smolica, ka reaguar publikisht në lidhje me situatën që ka përfshirë familjen Hila, duke sjellë një dëshmi personale nga një periudhë e rëndësishme e jetës së saj.

Smolica tregon se e ka njohur familjen Hila që në kohën e “Gjeniut të Vogël”, ndërsa marrëdhënia e tyre u bë edhe më e afërt gjatë pjesëmarrjes së saj në “Këngët e Shekullit”.

Ajo rrëfen se në atë kohë ishte vetëm 14 vjeçe dhe, për rreth katër muaj, qëndroi në shtëpinë e familjes Hila, larg prindërve dhe familjes së saj.

Sipas këngëtares, Klaudia Hila e kishte pritur në shtëpi si një prej vajzave të familjes, duke i ofruar kujdes dhe siguri në një periudhë kur ishte larg njerëzve të saj të afërt.

“Disa gjëra nuk harrohen. Klaudia Hila më mbajti pas vetes si vajzën e saj. Shkoja me të çdo mëngjes në Teatrin e Kukullave, në punën e saj. Jetoja me familjen e saj, haja në tryezën e tyre nga duart e saj dhe flija në një dhomë me vajzat e saj”, shkruan Smolica.

Ajo thekson se në moshën 14-vjeçare kishte nevojë mbi të gjitha për siguri dhe se këtë ndjesi e kishte gjetur te familja Hila.

“Dhe në një moshë kur kisha më shumë nevojë për siguri, ajo më dha pikërisht atë”, shprehet këngëtarja.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe skandalit që ka përfshirë familjen, Vesa Smolica thotë se nuk mund të qëndronte pa folur për Klaudian, pasi e ka njohur atë nga afër dhe ruan kujtime të mira nga ajo periudhë.

“Klaudia, unë nuk i kam harruar të mirat që më ke bërë. Ti ndoshta më kujton ende si vajzën e vogël 14-vjeçare që dikur erdhi në shtëpinë tënde. Por ajo vajzë sot është rritur dhe ende e mban mend me mirënjohje gruan që e bëri të ndihej e sigurt larg shtëpisë”, shkruan ajo.

Në reagimin e saj, Smolica përmend edhe vajzat e familjes Hila, Meryl dhe Ketlin, duke theksuar se ato nuk duhet të mbajnë mbi vete pasojat apo gjykimet për veprimet e personave të tjerë.

“Meryl e Ketlin nuk duhet të mbajnë mbi vete peshën, turpin apo gjykimin e veprimeve të askujt tjetër”, shkruan këngëtarja.

Në fund, Vesa Smolica i drejtohet drejtpërdrejt Klaudia Hilës, duke i uruar forcë dhe dinjitet në këto ditë të vështira.

“Mos harro kush je dhe mos harro sa njerëz e dinë kush ke qenë dhe je për ta. Unë jam një prej tyre. Të kam njohur atëherë. Nuk të harroj sot”, përfundon ajo.