Të shtëna në Norvegji, raportohet për dy viktima dhe një të plagosur rëndë

Të shtëna në Norvegji, vriten babë e bir dhe plagoset rëndë një person
Dy persona, babë e bir, kanë humbur jetën, ndërsa një person tjetër është plagosur rëndë pasi një person i armatosur
dyshohet se ka hapur zjarr ndaj një grupi gjuetarësh pranë Haldenit, në pjesën jugore të Norvegjisë, njoftoi policia lokale.
Sipas autoriteteve, i dyshuari është një burrë rreth të 20-ave, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe më pas është shoqëruar në një stacion policor.
Policia bëri të ditur se i dyshuari nuk ishte pjesë e grupit të gjuetarëve dhe dyshohet për vrasje.
Sipas transmetuesit publik norvegjez **NRK**, të shtënat ndodhën gjatë një grumbullimi të grupit të gjuetarëve, në momentin kur pritej të përcaktoheshin pozicionet për gjueti.
Policia u njoftua rreth orës 07:30 me kohën lokale se disa persona ishin qëlluar në një adresë në Halden. Rreth gjysmë ore më vonë, autoritetet njoftuan se i dyshuari ishte vënë nën kontrollin e policisë.
“Bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë dhe tragjike, e cila ka prekur thellë shumë njerëz. Mendimet tona janë me familjet e të prekurve”, deklaroi ushtruesja e detyrës së shefes së policisë, Vibeke Schøen.
Ndërkohë, komuna e Haldenit ka ngritur një shtab krize për të përballuar situatën. Lajmin e konfirmoi për NRK kryetari i komunës, Fredrik Holm.
Haldeni ndodhet rreth 96 kilometra në juglindje të Oslos, pranë kufirit me Suedinë.
Hetimet për rrethanat dhe motivin e ngjarjes janë në vijim.



