“Grabitja e shekullit”, hakerat e Kim Jong Un godasin Binance dhe zhdukin 6.3 miliardë dollarë në 20 minuta

Sulmi më i madh kibernetik në historinë e kriptomonedhave ka tronditur tregjet financiare.
Hakerat grabitën mbi 6 miliardë dollarë nga Binance, ndërsa gjurmët çojnë te grupi
famëkeq TraderTraitor, i lidhur me regjimin e Koresë së Veriut. Miliarda dollarë janë bllokuar,
por një pjesë e madhe e pasurisë së vjedhur mbetet nën kontrollin e sulmuesve.
Në vetëm 20 minuta, një grup hakerash arriti të realizonte atë që konsiderohet grabitja më e madhe e kriptomonedhave në histori. Nga portofolet digjitale të Binance, platformës më të madhe të tregtimit të kriptomonedhave në botë, u transferuan në mënyrë të paligjshme rreth 6.3 miliardë dollarë, një shumë marramendëse që ka nxjerrë zbuluar dobësitë e sigurisë së një prej gjigantëve të financave digjitale.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, ndërsa hetimet e publikuara sot, më 30 tetor, po çojnë drejt një prej strukturave më të rrezikshme të piraterisë kibernetike në botë, grupit TraderTraitor, të lidhur me regjimin e diktatorit koreano-verior Kim Jong-un.
Sipas kompanisë amerikane TRM Labs, e specializuar në gjurmimin e transaksioneve në blockchain, hakerat zhvendosën rreth 6.36 miliardë dollarë nga portofolet e Binance në dhjetë rrjete të ndryshme kriptomonedhash. Pjesa dërrmuese e operacionit u realizua brenda afërsisht 20 minutash, duke goditur njëkohësisht Bitcoin, Ethereum, Tron, Solana dhe rrjete të tjera.
Goditja ishte përgatitur me kujdes të jashtëzakonshëm. Gjurmët e zbuluara nga ekspertët tregojnë se sulmuesit kishin nisur përgatitjet të paktën 36 orë më parë, duke testuar kodin që do të përdornin dhe duke siguruar autorizimet e nevojshme për transferimin e fondeve.
Në orën 20:05, sipas kohës ndërkombëtare UTC, filluan transfertat e para. Brenda pak minutash, miliona dollarë u larguan nga portofolet e Binance. Në orën 20:20, një portofol Bitcoin i kompanisë transferoi 18,270 Bitcoin, me vlerë rreth 1.47 miliardë dollarë. Pak çaste më vonë u zhvendosën edhe qindra milionë dollarë në kriptomonedha të tjera.
Mënyra e ekzekutimit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sistemet e sigurisë së Binance. Sipas hetimit teknik, sulmuesit përdorën 50 autorizime të nënshkruara paraprakisht për të marrë kontrollin e një portofoli në rrjetin Ethereum. Vetëm njëra prej këtyre firmave elektronike mjaftoi që hakerat të nisnin transferimin e fondeve.
Binance ka pranuar se sulmi mund të ketë nisur nga kompjuteri i komprometuar i një inxhinieri të sistemeve teknike. Kompania ka zbuluar më pas edhe pika të tjera depërtimi, duke pranuar se operacioni ishte më i ndërlikuar nga sa treguan hetimet fillestare. Deri tani nuk ka konfirmim se janë ekspozuar çelësat privatë të portofolave digjitalë.
Pista më e fortë të çon në Phenian. TRM Labs deklaron se ka besim të lartë se pas grabitjes qëndron TraderTraitor, një grup hakerash që autoritetet amerikane e kanë lidhur prej kohësh me strukturat shtetërore të Koresë së Veriut.
I njëjti grup u identifikua nga FBI si përgjegjës për grabitjen e 1.5 miliardë dollarëve nga platforma Bybit në shkurt të vitit 2025. Më herët, hakerat koreano-veriorë ishin lidhur edhe me sulme ndaj kompanive të tjera financiare, duke përdorur identitete të rreme, oferta mashtruese punësimi dhe programe të infektuara për të depërtuar në sistemet e tyre.
Tashmë përmasat janë shumë më të mëdha. Grabitja e Binance e tejkalon mbi katër herë sulmin ndaj Bybit dhe ka vendosur një rekord të ri në historinë e krimit financiar digjital.
Sipas hetimeve amerikane të mëparshme, grabitjet e kriptomonedhave janë përdorur nga struktura koreano-veriore për të siguruar të ardhura dhe për të financuar programe shtetërore, përfshirë ato të armatimit. Përfshirja e mundshme e TraderTraitor në këtë operacion ngre dyshimin se miliardat e grabitura mund të përfundojnë sërish në shërbim të regjimit të Kim Jong-un. Përgjegjësia e këtij grupi për sulmin e fundit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet ligjzbatuese.
Ndërkohë, ka nisur një garë ndërkombëtare për të bllokuar paratë e vjedhura përpara se ato të zhduken në labirintin e transaksioneve digjitale.
Kompanitë Tether, Circle, Ripple dhe aktorë të tjerë të tregut kanë ndërhyrë për të ngrirë miliarda dollarë në kriptomonedha. Sipas raportit të Elliptic, deri në mëngjesin e 30 tetorit ishin bllokuar rreth 2.84 miliardë dollarë, ndërsa Binance ka deklaruar se shuma e fondeve të ngrira kishte arritur afërsisht 3 miliardë dollarë.
Megjithatë, hakerat vazhdojnë të kontrollojnë asete me vlerë miliarda dollarë. Vetëm në Bitcoin dhe Ethereum, sipas TRM Labs, ata zotëronin rreth 2.4 miliardë dollarë në fonde që nuk mund të ngrihen drejtpërdrejt nga kompanitë emetuese të kriptomonedhave.
Ekspertët kanë zbuluar se sulmuesit po konvertojnë me shpejtësi asetet e vjedhura, duke i shpërndarë në adresa të ndryshme dhe duke përdorur platforma të decentralizuara për të vështirësuar gjurmimin. Një pjesë e transaksioneve është lidhur edhe me adresa të përdorura në sulme të mëparshme, përfshirë grabitjen e platformës Bitget.
Binance ka pezulluar përkohësisht tërheqjet në disa rrjete dhe ka deklaruar se do të mbulojë humbjet e klientëve me fondet e kompanisë. Megjithatë, deklaratat e saj se paratë e përdoruesve janë të sigurta nuk e zbehin përmasën e dështimit të sigurisë që ka lejuar transferimin e miliardave nga infrastruktura e platformës.
Grabitja ka nxjerrë në pah një problem shumë më të madh. Në një treg ku qarkullojnë mijëra miliarda dollarë dhe ku kompanitë premtojnë siguri përmes teknologjisë blockchain, një ndërhyrje në sistemet që autorizojnë transaksionet mund të mjaftojë për të zbrazur portofole të tëra brenda pak minutash.
Nëse konfirmohet përfshirja e TraderTraitor, regjimi i Kim Jong-un do të ketë në llogarinë e tij një tjetër operacion gjigant financiar. Këtë herë, shuma e grabitur është më e madhe se buxhetet vjetore të shumë shteteve të vogla.
Në vetëm 20 minuta, hakerat arritën të nxirrnin nga Binance më shumë se 6 miliardë dollarë. Tashmë hetimi përqendrohet në dy pyetje: kush u dha akses në mekanizmat që autorizonin transfertat dhe ku do të përfundojnë miliardat që ende nuk janë bllokuar?
Më të Lexuarat

LAJME
Transferimi i Erion dhe Agasit. Zbulohet çfarë fshihet, dhe çfarë do i gjejë të dy

LAJME
Arlinda Zekaj me mbi 8 mijë euro borxh pas vd'ekjes! Një biznesmene merr përsipër shlyerjen e kredisë, banka: Po shqyrtojmë faljen

LAJME
V'dekja e 3 shqiptarëve dhe 3 grekëve, rëndohet situata: Policia arreston 3 persona dhe zbulon shkakun që solli tragjedinë
Lajme
Shiko kategorinë →
LAJME
Humb jetën nëna e Saimir Kodrës, motra e gazetarit prek me fjalët
Një lajm i trishtë ka prekur familjen Kodra. Nëna e Dona dhe Saimir Kodrës është ndarë nga jeta, duke lënë p...

LAJME
Transferimi i Erion dhe Agasit. Zbulohet çfarë fshihet, dhe çfarë do i gjejë të dy

LAJME
Arlinda Zekaj me mbi 8 mijë euro borxh pas vd'ekjes! Një biznesmene merr përsipër shlyerjen e kredisë, banka: Po shqyrtojmë faljen

LAJME