GJithcka qe po keshillohet para se te jete shume vone!

Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve SMS
mashtruese që dërgohen në emër të institucioneve bankare dhe
që u kërkojnë të dhëna personale dhe bankare.
Sipas njoftimit të policisë, këto mesazhe kanë si qëllim vjedhjen e të dhënave personale
e bankare të qytetarëve, si dhe përvetësimin e paligjshëm të fondeve nga llogaritë e tyre.
Në përmbajtjen e mesazheve përfshihen lidhje elektronike (linke), të cilat nuk i përkasin faqeve zyrtare të bankave. Ato synojnë t’i drejtojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara, të krijuara posaçërisht për të përvetësuar të dhënat e tyre.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhjet elektronike që përmbajnë SMS-të e dyshimta, të mos japin të dhënat e tyre personale dhe bankare, si dhe të mos japin PIN-in që u kërkohet.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit
Kujdes nga SMS-të mashtruese në emër të institucioneve bankare! Policia e Shtetit apelon për mbrojtjen e të dhënave personale dhe bankare.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik, paralajmëron qytetarët për qarkullimin e mesazheve telefonike (SMS) mashtruese, të cilat dërgohen në emër të institucioneve të ndryshme bankare, me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare, si dhe përvetësimin e paligjshëm të fondeve nga llogaritë e qytetarëve.
Nga rastet e evidentuara, rezulton se qytetarëve u dërgohen SMS nga numra të ndryshëm telefoni, në të cilat autorët prezantohen në mënyrë të rreme si institucione bankare, duke i njoftuar se duhet të kryejnë verifikimin e identitetit brenda një afati të shkurtër kohor, zakonisht 24 ose 31 orë.
Kjo formë mashtrimi kibernetik, e njohur si “Smishing”, synon të shfrytëzojë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve bankare dhe ndjesinë e urgjencës që krijohet nga afatet e vendosura në mesazhe.
Nëpërmjet këtyre faqeve, autorët synojnë të sigurojnë të dhëna të ndjeshme, si numrat e kartave bankare, fjalëkalimet e shërbimeve bankare online dhe kodet e verifikimit. Këto të dhëna mund të përdoren më pas për të siguruar akses të paautorizuar në llogaritë bankare të qytetarëve dhe për të kryer transaksione financiare, duke përvetësuar fondet e tyre.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin këto masa parandaluese:
-Mos jepni në asnjë rast të dhënat e kartave bankare, fjalëkalimet, PIN-et apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.
Mos u ndikoni nga mesazhet që vendosin afate kohore për verifikimin e identitetit apo paralajmërojnë kufizimin e shërbimeve bankare.
-Verifikoni çdo komunikim të dyshimtë drejtpërdrejt me bankën tuaj, nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit.
-Nëse keni vendosur të dhënat tuaja bankare në një lidhje të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për të kërkuar bllokimin e kartës apo të aksesit në llogari dhe raportoni rastin në Polici.
Policia e Shtetit sqaron se përdorimi i emrit të një institucioni bankar në një SMS nuk do të thotë se mesazhi është dërguar nga vetë banka. Qytetarët duhet të verifikojnë gjithmonë burimin e komunikimit dhe adresën elektronike përpara se të ndërmarrin çdo veprim.
Policia e Shtetit fton të gjithë qytetarët që kanë marrë mesazhe të tilla apo kanë rënë viktimë e këtyre skemave mashtruese, të denoncojnë rastet pranë strukturave të Policisë, duke ruajtur mesazhet, numrat e telefonit nga të cilët janë dërguar dhe lidhjet elektronike që ato përmbajnë.
Mbrojtja e të dhënave bankare fillon nga kujdesi i secilit prej nesh. Mos klikoni në lidhje të dyshimta dhe mos ndani të dhënat tuaja financiare!



