Fund tarifave të kripura? Shqipëria nis negociatat me BE-në për roaming-un, ja çfarë pritet të ndryshojë për qytetarët

Nga Class• 10 November 2026

Fund tarifave të kripura? Shqipëria nis negociatat me BE-në

Shqipëria është një hap më pranë përfshirjes në regjimin evropian “Roam Like at Home”,

i cili synon t’u mundësojë qytetarëve përdorimin e telefonit celular në vendet e

 Bashkimit Evropian pa tarifa shtesë roaming.

Komisioni Evropian ka njoftuar më 6 nëntor 2026 hapjen zyrtare të negociatave

me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, për përfshirjen e tyre në këtë mekanizëm.

Lajmi përbën një zhvillim të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, të cilët udhëtojnë shpesh drejt vendeve të BE-së dhe përballen me kosto shtesë për përdorimin e internetit celular, telefonatat dhe mesazhet.

Çfarë do të përfitojnë qytetarët shqiptarë?

Nëse marrëveshja përfundon me sukses, shqiptarët që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian do të mund të përdorin shërbimet celulare sipas kushteve të paketës së tyre në Shqipëri, pa tarifat shtesë të roaming-ut.

Kjo do të thotë se gjatë udhëtimeve turistike, vizitave familjare apo udhëtimeve për punë, qytetarët do të kenë mundësi të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin celular pa u përballur me faturat e larta që shpesh shoqërojnë përdorimin e telefonit jashtë vendit.

Përfitimi parashikohet të jetë i ndërsjellë: edhe qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit do të mund të përdorin shërbimet celulare pa tarifa shtesë roaming, sipas kushteve të regjimit.

Hapja e negociatave vjen pas vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, më 4 qershor 2026, për të autorizuar Komisionin Evropian të nisë bisedimet me gjashtë vendet e rajonit.

Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshjet do të negociohen veçmas me secilin vend dhe do të lidhen me Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit.

Përpara se të përfitojnë nga regjimi i ri, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin dhe zbatimin e rregullave të tyre me standardet evropiane për roaming-un.

Pas përfundimit të marrëveshjeve dhe verifikimit të përmbushjes së kushteve, Komisioni Evropian do t’i kërkojë Këshillit të BE-së zgjerimin e zonës së përfshirë në regjimin “Roam Like at Home”.

A do të hiqen menjëherë tarifat roaming?

Pavarësisht nisjes së negociatave, qytetarët duhet të presin përpara se të përfitojnë nga ndryshimi.

Komisioni Evropian nuk ka përcaktuar ende një datë konkrete për hyrjen në fuqi të regjimit të ri për Shqipërinë. Deri në përfundimin e negociatave, harmonizimin e rregullave dhe miratimin e zgjerimit, operatorët celularë do të vijojnë të zbatojnë kushtet aktuale të roaming-ut.

Ndërkohë, duhet theksuar se regjimi “Roam Like at Home” nuk nënkupton përdorim të pakufizuar pa asnjë kusht. Ai parashikon edhe rregulla të përdorimit të drejtë (Fair Use Policy), përfshirë kufizime të mundshme për internetin celular, në varësi të paketës dhe operatorit.

Nisma konsiderohet pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të afruar më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, edhe përmes përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset.

Aktualisht, regjimi “Roam Like at Home” zbatohet në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në Islandë, Lihtenshtajn, Norvegji, Ukrainë dhe Moldavi. Këto dy vendet e fundit iu bashkuan mekanizmit më 1 janar 2026.

Për Shqipërinë, përfshirja në këtë skemë do të përbënte një lehtësi të rëndësishme për mijëra qytetarë që udhëtojnë çdo vit drejt Evropës, duke ulur kostot e komunikimit dhe duke afruar më tej shërbimet celulare me standardet e BE-së.