E FUNDIT/ Zgjerimi i BE-së: Mali i Zi ecën i vetëm përpara, Shqipëria në pikëpyetje për shkak të Edi Ramës

Nga Mali i Zi, që po i afrohet përmbylljes së negociatave, te Shqipëria, e përfshirë nga
përplasjet politike dhe protestat, raporti i ri i Komisionit Evropian nxjerr në pah
ritme krejt të ndryshme integrimi në rajon. Serbia, Bosnja dhe Hercegovina,
Maqedonia e Veriut dhe Kosova mbeten të bllokuara nga krizat e brendshme dhe mosmarrëveshjet politike…
Më 4 nëntor, Komisioni Evropian publikoi Paketën e Zgjerimit 2026, një përmbledhje raportesh që analizojnë përparimin e vendeve kandidate në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në Ballkanin Perëndimor, përparimin më të madh vazhdon ta shënojë Mali i Zi, vendi më i avancuar në rajon për mbylljen e kapitujve të negociatave që nevojiten për përfundimin e procesit të anëtarësimit.
Pas tij renditet Shqipëria, megjithëse mbi perspektivën e saj evropiane rëndojnë përplasjet e vazhdueshme mes kryeministrit Edi Rama, opozitës dhe shoqërisë civile. Ndërsa Serbia pas largimit të Vuçiçit nga pushteti, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova nuk kanë shënuar përparime të rëndësishme.
Mali i Zi në krye, a mund të bëhet BE-ja me 28 anëtarë në vitin 2027?
Sipas dokumenteve të publikuara nga Komisioni Evropian, Mali i Zi po ruan ritmin pozitiv në mbylljen e kapitujve të negociatave, një prirje që ka karakterizuar vendin dhe udhëheqjen e tij politike gjatë viteve të fundit.
Mali i Zi, kandidat për anëtarësim që prej vitit 2010, i nisi negociatat në vitin 2012. Deri tani ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, nga të cilët 25 janë mbyllur përkohësisht. Dy kapitujt e fundit, për taksat dhe politikën rajonale, u përmbyllën më 19 nëntor.
Qeveria e drejtuar nga Milojko Spajiç synon të mbyllë edhe kapitujt e mbetur deri në fund të vitit 2026. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur optimiste për realizimin e këtij objektivi, megjithëse vetë Komisioni vlerëson se Mali i Zi është disi prapa afateve për ta përmbushur atë.
Në rrugën e Podgoricës drejt anëtarësimit mbeten edhe marrëdhëniet delikate me Kroacinë fqinje. Kjo e fundit ka publikuar muajt e fundit një listë me tetë çështje që kërkojnë zgjidhje, lidhur me mosmarrëveshje politike dhe territoriale që datojnë nga luftërat e viteve 1990.
Zagrebi po kërkon që zgjidhja e këtyre mosmarrëveshjeve të lidhet drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Malit të Zi. Megjithatë, qëndrimi më i përhapur në Evropë, i mbështetur edhe nga kancelari gjerman Friedrich Merz, është që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos pengojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Shqipëria, mes dhunës në protesta dhe ambicies së Ramës
Shqipëria është vend kandidat që prej vitit 2014, por negociatat e anëtarësimit nuk u hapën deri në vitin 2022, pas një bllokimi të gjatë, gjatë të cilit kandidatura shqiptare mbeti e lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut. Sot Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, por ka arritur të mbyllë përkohësisht vetëm katër prej tyre.
Objektivi i qeverisë mbetet mbyllja e të gjithë kapitujve deri në vitin 2027. Por zhvillimet e muajve të fundit kanë nxjerrë në pah kontradikta të thella mes ambicieve evropiane të qeverisë dhe gjendjes së demokracisë në vend.
Që nga fillimi i verës, Shqipëria është përfshirë nga protesta të fuqishme pas vendimit të qeverisë për të mbështetur ndërtimin e një resorti turistik në rezervatin natyror të Vjosë-Nartës, pronësia e të cilit lidhet me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Përgjigjja e dhunshme e policisë shqiptare dhe qëndrimi sfidues, tashmë i shndërruar në apati, i kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve dhe shoqërisë civile kërkojnë një reagim konkret nga Bashkimi Evropian.
Edhe vetë Komisioni Evropian, në raportin për Shqipërinë, nënvizon se pavarësisht përparimit të arritur dhe angazhimit të vendit për t’u anëtarësuar në BE, problemet me shtetin e së drejtës dhe episodet e dhunës gjatë protestave mbeten çështje serioze që kërkojnë zgjidhje politike.
Maqedonia e Veriut, disa sinjale pozitive, por objektivi mbetet larg
Aplikimi i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian daton që nga viti 2004. Vendi mori statusin e kandidatit një vit më vonë, por iu desh të priste deri në vitin 2022 për të nisur negociatat e anëtarësimit.
Aktualisht, Shkupi nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash për shkak të bllokadës së Bullgarisë, e cila zëvendësoi veton e mëparshme të Greqisë. Megjithëse raporti i vitit 2026 vë në dukje disa zhvillime pozitive në përgatitjet e vendit për hapjen e kapitujve kryesorë, procesi mbetet i bllokuar.
Reforma kushtetuese, e kërkuar nga Sofja për njohjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe e kundërshtuar nga qeveria e djathtë në Shkup, ende nuk është miratuar. Po kështu, mbetet pezull reforma e sistemit gjyqësor, thelbësore për përafrimin me standardet evropiane.
Pas largimit të Vuçiç, a mund të rikthehet Serbia te ëndrra evropiane?
Serbia nuk ka shënuar asnjë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit. Vendi mori statusin e kandidatit në vitin 2014, por deri tani ka mbyllur vetëm dy kapituj negociatash.
Pas zgjedhjeve të fundit, Beogradi ka lënë pas epokën e Aleksandar Vuçiçit.
Fitorja dërrmuese e Listës së Studentëve më 25 tetor, e cila siguroi shumicën parlamentare, shënoi fundin e më shumë se 14 viteve të sundimit të tij. Tashmë forca e re politike përballet me sfidën e çmontimit të një sistemi autoritar të konsoliduar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Gjatë Forumit të Zgjerimit, të mbajtur në Bruksel më 17 nëntor, Aleksandar Baucal, profesor i psikologjisë në Universitetin e Beogradit dhe tashmë deputet, u përzgjodh për të përfaqësuar studentët në takim. Gjatë diskutimeve, Baucal theksoi shprehimisht se Serbia dëshiron të jetë një partnere e besueshme për Bashkimin Evropian dhe rajonin, duke nënvizuar se bashkëpunimi me institucionet evropiane është pjesë e programit politik të Listës së Studentëve.
Kjo deklaratë shënon një ndryshim të rëndësishëm të kursit politik të Beogradit, pas një periudhe të gjatë gjatë së cilës marrëdhëniet me Brukselin u karakterizuan nga paqartësitë strategjike, tensionet dhe distancimi nga standardet demokratike evropiane.
Bosnje Hercegovina, asnjë përparim dhe thellim i krizës politike
Situata e Bosnjës dhe Hercegovinës paraqitet veçanërisht problematike. Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2022, nuk është shoqëruar me rezultate konkrete. Gjatë 4 viteve të fundit, vendi nuk ka arritur të miratojë asnjë nga reformat e nevojshme për hapjen e kapitujve të parë të negociatave.
Arsyeja kryesore e largimit të Bosnjës nga perspektiva evropiane është kriza e thellë politike që vazhdon ta mbajë vendin të paralizuar. Fitorja e partive tradicionale nacionaliste në zgjedhjet e tetorit ka thelluar ndarjet e brendshme, në një kohë kur po rikthehen gjithnjë e më fuqishëm retorika ultranacionaliste dhe thirrjet separatiste.
Një shembull domethënës është glorifikimi i Ratko Mlladiçit pas vdekjes së tij, në gushtin e kaluar, një tjetër dëshmi e vështirësisë së Bosnjës për t’u shkëputur nga trashëgimia e luftës dhe nacionalizmit ekstrem. Situatën e ndërlikon edhe ngërçi ndërkombëtar për emërimin e një Përfaqësuesi të Lartë.
Aktualisht, këtë detyrë e ushtron përkohësisht zëvendësi amerikan Louis Crishock, pasi vendet garantuese të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, edhe për shkak të qëndrimit të administratës Trump, nuk kanë arritur të bien dakord për emërimin e pasuesit.
Kosova, kriza institucionale dhe çështja e komunave me shumicë serbe
Kosova ishte mungesa e madhe në Forumin e Zgjerimit në Bruksel. Ajo vazhdon të ketë statusin e një vendi kandidat potencial, ndërsa marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Brukselit mbeten të bllokuara.
Reformat kanë ngecur për shkak të krizës së zgjatur institucionale, e cila u pasua nga një marrëveshje e vështirë politike për zgjedhjen e Presidentes së re të Republikës. Në raportin e tij, Komisioni Evropian evidenton disa përparime në luftën kundër krimit të organizuar, përafrimin me politikën e jashtme të BE-së, funksionimin e sistemit gjyqësor dhe respektimin e të drejtave themelore.
Megjithatë, çështja e qeverisjes lokale dhe e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet e pazgjidhur. Komisioni ka hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e rifilluar dialogun teknik dhe asistencën financiare, por situata është ende larg një zgjidhjeje përfundimtare.
Ku po shkon Evropa?
Procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë i vështirë dhe i mbushur me pengesa. Shembulli pozitiv i Malit të Zi, nuk mjafton për t’i dhënë një shtysë të re strategjisë evropiane të integrimit të rajonit, në mënyrë funksionale dhe të barabartë.
Megjithëse parimi i meritës mbetet një nga shtyllat themelore të negociatave, realiteti politik i viteve të fundit kërkon një qasje më pragmatike nga Bashkimi Evropian, e aftë për të kuptuar nevojat dhe dinamikat që karakterizojnë vendet e rajonit.
Rreziku është që zvarritja e pafundme e procesit, të zhgënjejë edhe më shumë aspiratat evropiane, veçanërisht të brezave të rinj, të cilët janë gjithnjë e më të prirur të largohen nga vendet e tyre në kërkim të mundësive më të mira.
Për disa prej këtyre vendeve, rruga drejt BE-së ka qenë jashtëzakonisht e gjatë dhe e mundimshme. Në emër të integrimit evropian janë pranuar edhe vendime me kosto të mëdha politike e kombëtare. Rasti më domethënës është ai i Maqedonisë së Veriut, e cila pranoi të ndryshonte edhe emrin e shtetit për të kapërcyer pengesat në rrugën drejt anëtarësimit, pa marrë deri më sot përfitime të rëndësishme konkrete.
Në këto kushte, Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë besueshmërinë në një rajon ku për shumë vite ka qenë orientimi strategjik kryesor. Nëse reformat dhe kompromiset e kërkuara nuk shpërblehen me përparim real, atëherë premtimi i anëtarësimit mund të shndërrohet nga një motor ndryshimi në një burim të ri zhgënjimi.
Mali i Zi po dëshmon se përparimi është i mundur. Por sfida e vërtetë e Evropës, mbetet që ky proces të mos jetë një garë ku vetëm një vend arrin vijën e finishit, ndërsa pjesa tjetër e Ballkanit mbetet në pritje pa një perspektivë të besueshme./Pamfleti nga “East Journal”



