Bedri Hamza jep dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së

Nga Class• 18 October 2026

Bedri Hamza jep dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës,

 ka kuptuar VOX Kosova përmes burimeve brenda PDK-së.

Siç merr vesh VOX-i, Hamza do të vazhdojë ta mbajë pozitën e Kryetarit deri në

 zgjedhje të rregullta të brendshme të PDK-së, por nuk do të jetë vetë kandidat për Kryetar.

Gjate kësaj faze, Hamza do të ketë rol simbolik vetëm sa për t’u kryer tranzicioni e të mos cenohet procesi i zgjedhjes së Kryetarit të ri.

Hamza ishte zgjedhur Kryetar i PDK-së më 17 nëntor 2025.

Në këtë pozitë, ai kishte pasuar Memli Krasniqin.

Hamza ka një karrierë të gjatë politike. Ai ka qenë deputet, ministër, Kryetar Komune dhe Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ka qenë Ministër i Financave në dy mandate, në Qeverinë e dytë të Hashim Thaçit (2011-2014) dhe në atë të Ramush Haradinajt (2017-2019).

Hamza ka qenë edhe Kryetar i Komunës së Mitrovicës (2021-2025), ndërsa ka garuar edhe si kandidat i PDK-së për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, 28 dhjetorit 2025 dhe ato të 7 qershorit 2026.

Ai ka qenë Kryetari i katërt i PDK-së. Para tij, PDK-ja ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre.

Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.

Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.

Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.

Më pas, si Kryetar, më 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë.