BE NDEZ MOTORËT PËR SHQIPERINË, PËRGATIT TRAKTATIN E ANËTARËSIMIT NË UNIONIN EUROPIAN

Nga Class• 9 November 2026

BE NDEZ MOTORËT PËR SHQIPERINË, PËRGATIT TRAKTATIN E

Komisioni Evropian po e zhvendos Shqipërinë në një tjetër etapë të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian.

 Brukseli rekomandon që gjatë vitit 2027 të nisin përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit

 të Shqipërisë, dokumentit juridik që do të përcaktojë kushtet dhe

modalitetet e hyrjes së vendit në familjen evropiane.

Rekomandimi është pjesë e udhërrëfyesit të publikuar më 4 nëntor, në kuadër të Paketës së Zgjerimit 2026, ku Komisioni Evropian përcakton kalendarin dhe etapat e ardhshme të procesit negociues.

“Komisioni rekomandon gjithashtu që Këshilli të nisë gjatë vitit 2027 përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit me Shqipërinë”, thuhet në dokumentin e Brukselit.

Ky është një sinjal i rëndësishëm politik dhe institucional, pasi planifikimi evropian nuk kufizohet më vetëm te mbyllja e kapitujve të negociatave, por fillon të përfshijë edhe përgatitjen e dokumentit që do të rregullojë anëtarësimin e ardhshëm të Shqipërisë.

Megjithatë, entuziazmi për këtë zhvillim duhet shoqëruar me një sqarim thelbësor: Shqipëria nuk ka nisur ende hartimin e Traktatit të Anëtarësimit dhe as ka marrë një datë zyrtare për hyrjen në BE. Për momentin bëhet fjalë për një rekomandim të Komisionit, ndërsa vendimi për nisjen e përgatitjeve i takon Këshillit të Bashkimit Evropian.

Por dokumenti sjell edhe një tjetër element me rëndësi: përgatitjen e paketës financiare të anëtarësimit. Komisioni bën të ditur se, në varësi të progresit të Shqipërisë, do të paraqesë në kohën e duhur një komunikim të posaçëm për financimin e anëtarësimit. Ende nuk përcaktohet as shuma dhe as afati konkret i kësaj pakete.

Në të njëjtën kohë, Brukseli kërkon përshpejtimin e përkthimit në gjuhën shqipe të legjislacionit evropian, një nga detyrat teknike që duhet të përmbushet përpara anëtarësimit.

I gjithë ky proces lidhet me një objektiv ambicioz: mbylljen e 31 kapitujve të mbetur të negociatave deri në fund të vitit 2027. Një kalendar që Komisioni e cilëson indikativ dhe që mbetet i kushtëzuar nga ritmi i reformave, përmbushja e kritereve dhe rezultatet konkrete të Shqipërisë.

Pra, Brukseli po fillon të projektojë edhe arkitekturën juridike dhe financiare të anëtarësimit shqiptar. Por mes rekomandimit për përgatitjen e traktatit dhe anëtarësimit real mbetet ende prova më e vështirë: përmbushja e të gjitha kushteve të Bashkimit Evropian.