“Artur Shehu ka dëshmuar para institucioneve amerikane”, Ilir Kulla: Projekti i Kushnerit mund të hetohet në SHBA

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka komentuar mundësinë e nisjes së hetimeve në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës për projekte investimi të lidhura me Jared Kushnerin,
dhëndrin e presidentit Donald Trump, përfshirë projektet e tij në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, në kanalin YouTube të Pamfletit,
Kulla vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA mund të krijojë kushte për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare dhe për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me administratën Trump. I pyetur nëse një hetim i mundshëm amerikan mund të përfshijë edhe projektin e Kushnerit në Shqipëri, eksperti theksoi se institucionet amerikane kanë mekanizma të fortë kontrolli dhe se një proces i tillë, nëse nis, do të shoqërohet me transparencë.
“Nëse do të ketë një hetim, se shiko, Amerika është një vend me institucione të forta, ai hetim do të ketë edhe transparencë”, deklaroi Kulla.
Ai përmendi emrin e Artur Shehut, të cilin e cilësoi personazh të rëndësishëm për një hetim të mundshëm. Sipas Kullës, Shehu është shtetas amerikan, jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara dhe ka komunikuar më parë me institucionet amerikane për çështjen në fjalë.
“Ai hetim ka një personazh çelës në të gjithë këtë histori, që është shtetas amerikan prej shumë vitesh, dhe ky quhet Artur Shehu. Jeton në Amerikë, është i lirë. Dhe është një njeri që, kur e kanë thirrur institucionet amerikane, ka dhënë dëshminë e vet për këtë çështje”, u shpreh eksperti.
Eksperti theksoi se është ende herët për të përcaktuar nëse projekti i Kushnerit në Shqipëri do të bëhet objekt i një hetimi të posaçëm. Megjithatë, ai parashikoi se demokratët amerikanë, pas marrjes së mandateve të reja në Kongres në janar, mund të ndërmarrin nisma për krijimin e komisioneve hetimore dhe për procedura politike kundër presidentit Trump.
“Është herët të flasim për këtë gjë. Sigurisht që unë parashoh që, me ardhjen në janar në Kongres edhe në Senat të demokratëve, ne do të kemi veprime, do të kemi krijime të komisioneve hetimore dhe tentativa për impeachment, dhe mund të kemi edhe këtë çështje”, deklaroi Kulla.
Sipas tij, nëse autoritetet amerikane vendosin të shqyrtojnë projektet e lidhura me Kushnerin, procesi do të zhvillohet në kuadër të institucioneve dhe legjislacionit amerikan. Kulla argumentoi se shtetësia amerikane e Artur Shehut e bën të rëndësishëm rolin e institucioneve federale të SHBA-së në çdo procedurë të mundshme.
“Mos harrojmë një gjë, që ajo pastaj është një çështje tërësisht amerikane. Sepse zoti Shehu është shtetas amerikan dhe zoti Shehu flet me FBI-në, nuk flet me policinë shqiptare për këtë punë”, u shpreh ai.
Kulla kritikoi kryeministrin Edi Rama për deklaratat e tij të mëparshme ndaj figurave dhe forcave politike amerikane, duke argumentuar se qëndrimet publike të kreut të qeverisë shqiptare nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve në SHBA. Kulla iu referua mbështetjes që Rama kishte shprehur për Hillary Clinton gjatë garës presidenciale të vitit 2016 dhe kritikave të tij ndaj Donald Trumpit. Ai përmendi gjithashtu deklaratat e Ramës për lëvizjen Antifa dhe përplasjet politike në SHBA, duke i përdorur si shembuj të qëndrimeve që, sipas tij, mund të krijojnë kontradikta në raportet politike.
“Kur doli Rama, e lavdëroi Clintonin, e mallkoi Trumpin. Humbi Clintoni e fitoi Trumpi”, deklaroi Kulla.
Në vijim, eksperti përdori ironi për të komentuar mënyrën se si, sipas tij, kryeministri shqiptar ka pozicionuar publikisht qëndrimet e veta ndaj politikës amerikane.
“Këtu është bërë të shohësh kë mallkon ky, që të marrësh pozicionin në anën tjetër”, u shpreh ai.
Pjesë nga intervista:
-Ti pak më parë ma shmange këtë kur të pyeta për Amerikën dhe lidhur me Shqipërinë rezultati i mesmandatit atje…
Ilir Kulla: Jo unë nuk ta shmanga, të thashë tjetër gjë.
-Se po përflitet për hetime mbi projekte të ndryshme si ai i Jared Kushner, për shembull, nuk më the një përgjigje për këtë, a mund të ketë një…?
Ilir Kulla: Ja ta jap unë, nëse do të ketë një hetim, se shiko, Amerika është një vend me institucione të forta, ai hetim do të ketë edhe transparencë. Dhe nëse do t’i kthehemi asaj, ai hetim ka një personazh çelës në të gjithë këtë histori. Që është shtetas amerikan, prej shumë vitesh, dhe ky quhet… Artur Shehu. Jeton në Amerikë, është i lirë. Dhe është një njeri që kur e kanë thirrur institucionet amerikane ka dhënë dëshminë e vet për këtë çështje. Po kjo është një gjë që do t’i ngelet të ardhmes. Pra, është herët të flasim për këtë gjë, sigurisht që unë parashoh që, me ardhjen e… në janar në… Kongres edhe në Senat të demokratëve ne do të kemi veprime, do të kemi pra krijime të komisioneve hetimore dhe tentativë për impeachment, dhe mund të kemi dhe këtë çështje. Por mos harrojmë një gjë, që ajo pastaj është një çështje tërësisht amerikane.
-Pse?
Ilir Kulla: Sepse zoti Shehu është shtetas amerikan, dhe zoti Shehu flet me FBI, nuk flet me policinë shqiptare për këtë punë. Mirë, në Tiranë për shembull nuk është se pati ndonjë reagim domethënës të paktën nga kryesorët, lidhur me atë çka prodhoi zgjedhja mes mandatit atje. Pse çfarë thonë këta? Këta se këtu është halli, ishalla nuk të del. Kur doli Rama e lavdëroi Klintonin, e mallkoi Trumpin, humbi Klintoni e fitoi Trumpi. Tani që… Tani që doli Rama dhe tha këta janë organizata anti-terroriste, antifashistët pra Antifa e majta amerikane, dhe i tha atyre luftojeni Trumpin thanë amerikanët jo Shqipëri, tani i humbi Trumpi e fituan këta, kështu që këtu është bërë të shohësh kë mallkon ky që të marrësh pozicionin anën tjetër, se çfarë të them unë ty.
Më të Lexuarat

LAJME
“Nuk dimë ku t’i çojmë lekët”: Publikohen bisedat e Franc Çopjas dhe Ervis Çelës për miliona euro dhe lingota ari

LAJME
Kosova nuk është Serbi! Marjana Koçeku përplaset me Vladimir Štimac, reagon edhe Romana Vlahutin

LAJME
“Më thanë je në rrezik prej miqësisë me Soros dhe të birin”, Rama në Dublin flet për investimin e Jared Kushner në Sazan: Jemi ende duke negociuar
Lajme
Shiko kategorinë →
LAJME
“Artur Shehu ka dëshmuar para institucioneve amerikane”, Ilir Kulla: Projekti i Kushnerit mund të hetohet në SHBA
Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka komentuar mundësinë e nisjes së hetimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për...

LAJME
“Nuk dimë ku t’i çojmë lekët”: Publikohen bisedat e Franc Çopjas dhe Ervis Çelës për miliona euro dhe lingota ari

LAJME
Kosova nuk është Serbi! Marjana Koçeku përplaset me Vladimir Štimac, reagon edhe Romana Vlahutin

LAJME