Aksidenti me bilanc te rende

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në juglindje të Bullgarisë,
ku rreth 50 automjete, përfshirë kamionë dhe autobusë, janë përplasur në autostradën Trakia.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, të paktën 11 persona kanë humbur jetën,
ndërsa 50 të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar në spitalet e zonës për ndihmë mjekësore.
Dyshohet se shkak i përplasjes masive është bërë mjegulla e dendur, e cila ka kufizuar ndjeshëm shikueshmërinë e drejtuesve të mjeteve.
Përplasjet kanë ndodhur në të dyja anët e autostradës, ku disa automjete janë përmbysur, ndërsa të tjera kanë përfunduar jashtë rrugës.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat po punojnë për nxjerrjen e personave që raportohet se kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të shkatërruara.
Ndërkohë, autoritetet pritet të nisin hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit, sapo të përfundojnë operacionet e shpëtimit.



