Treni përplaset me “Mercedesin” ku udhëtonin tri vajza: 26-vjeçarja Anita humbi jetën, zbulohet fati i shoqes që drejtonte makinën

Nga Class• 23 November 2026

Treni përplaset me “Mercedesin” ku udhëtonin tri vajza:

Gjashtë vite pas aksidentit tragjik në Kroaci, dënohet shoqja që

drejtonte makinën: 26-vjeçarja Anita humbi jetën në përplasjen me trenin

KROACI – Gjashtë vjet e gjysmë pas aksidentit të rëndë hekurudhor pranë Zagrebit,

 ku humbi jetën 26-vjeçarja Anita B., gjykata ka shpallur një vendim të shkallës së parë

 ndaj shoqes së saj, e cila drejtonte automjetin në momentin e tragjedisë.

32-vjeçarja Dalma Ç. është dënuar me 18 muaj burg për shkaktimin e një aksidenti automobilistik nga pakujdesia, me pasojë humbjen e jetës së një personi. Gjithashtu, ndaj saj është vendosur ndalimi i drejtimit të automjeteve për tre vjet pas përfundimit të dënimit me burg, si dhe detyrimi për të paguar mbi 4 mijë euro shpenzime gjyqësore.

Ngjarja tragjike ndodhi më 26 prill 2020, rreth orës 20:20, në një kalim hekurudhor në zonën e Brdovecit, pranë Zagrebit.

Në automjetin tip Mercedes A-Class udhëtonin tri vajza. Në timon ndodhej Dalma, në sediljen e pasagjerit ishte motra e saj, ndërsa 26-vjeçarja Anita ishte ulur në sediljen e pasme.

Në momentin kur makina po kalonte shinat hekurudhore, ajo u përplas fuqishëm nga një lokomotivë.

Dëshmia e makinistit dhe momentet e tmerrshme pas përplasjes

Gjatë procesit gjyqësor, makinisti i lokomotivës ka deklaruar se automjeti po i afrohej kalimit hekurudhor pa ndaluar. Sapo e kishte vënë re makinën, ai kishte aktivizuar menjëherë frenimin, por distanca ishte shumë e shkurtër për të shmangur përplasjen.

Veçanërisht prekëse kanë qenë dëshmitë e banorëve që mbërritën të parët në vendngjarje. Njëri prej tyre tregoi se një fqinj i tij, zjarrfikës me profesion, ishte përpjekur t’i jepte ndihmën e parë vajzës së plagosur dhe t’i kontrollonte pulsin. Sipas dëshmisë, Anita dyshohet se kishte ndërruar jetë ndërsa zjarrfikësi po përpiqej ta ndihmonte.

Shoferja mohoi përgjegjësinë, por ekspertizat zbuluan të kundërtën

Gjatë gjykimit, Dalma ka mohuar përgjegjësinë për aksidentin. Ajo ka pretenduar se e kishte ulur shpejtësinë dhe kishte kontrolluar të dyja drejtimet përpara se të kalonte shinat.

Gjithashtu, ajo ka deklaruar se nuk e kujtonte nëse në momentin e ngjarjes funksiononin sinjalizimi zanor dhe ai me drita në kalimin hekurudhor.

Disa dëshmitarë pretenduan se sinjalizimi nuk ishte funksional, por ekspertizat teknike të paraqitura në gjykatë konfirmuan se sistemi kishte qenë në gjendje të rregullt në momentin e aksidentit.

Në përfundim, gjykata konstatoi se drejtuesja e automjetit nuk kishte ndaluar përpara tabelës STOP, pavarësisht detyrimit ligjor për ta bërë këtë.

Dalma: Jam penduar, pasojat e tragjedisë më ndjekin ende

Përpara gjykatës, 32-vjeçarja ka shprehur keqardhje të thellë për atë që ndodhi, duke deklaruar se pasojat psikologjike të aksidentit vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot.

Ajo ka treguar se pas tragjedisë kishte mbajtur kontakte me familjen e Anitës dhe kishte vizituar edhe varrin e shoqes së saj të ndjerë.

Sipas deklarimeve të saj, bashkëshorti i Anitës i kishte thënë se e falte për atë që kishte ndodhur.

Ndërkohë, mbrojtja e të dënuarës ka paraqitur tashmë ankimim kundër vendimit, i cili nuk është ende i formës së prerë, duke kundërshtuar si faktet e konstatuara nga gjykata, ashtu edhe masën e dënimit.

Çështja pritet të vijojë në instancën e apelit, ndërsa vendimi përfundimtar për përgjegjësinë penale të 32-vjeçares ende nuk është marrë.