“Ti, princesha e Kodrës së Kuajve”, Sala Mila i kundërpërgjigjet Berishës: Ty të thërrasin 26 viktimat e Gërdecit dhe 4 të Bulevardit

Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës kanë vijuar, pasi kryeministri Edi Rama u largua nga salla.
Fjalën e mori kryedemokrati Sali Berisha, i cili nuk anashkaloi as deputeten e PS, Sara Mila,
e cila së fundmi u paraqit në SPAK. Berisha i përmendi emrin, duke i thënë
“princesha e Kodrës së Kuajve” dhe duke e këshilluar deputeten socialiste të denoncojë.
Nga ana tjetër, në replikë, Mila u shpreh se Berisha duhet të kishte dorëzuar mandatin që për ngjarjen e Gërdecit dhe 21 Janarin. Mila po ashtu i ka bërë thirrje Berishës të informohet pse u paraqit në SPAK përpara se të hedhë akuza.
Sali Berisha:
“Ti, princesha e Kodrës së Kuajve, mos bëj asnjë gjest, sepse këto që them unë janë të vërteta dhe të këshilloj t’i denoncosh, se nuk mund ta nisësh kështu karrierën.”
Sara Mila:
“E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë, vazhdon ta përgojojë mandatin tim dhe në ecejaket e oborrit të SPAK-ut, që ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Më bëri thirrje të dorëzoja mandatin. Mirë do të ishte që këtë standard ta niste nga vetja. ‘Dorëzo mandatin’, më thotë mua, ndërkohë që e thërrasin shpirtrat e 26 të vrarëve në Gërdec, 4 në Bulevard e kush e di sa të tjerë në ’97. Meqë ke qejf ecejaket në korridoret e drejtësisë, merr informacionet e sakta, që unë nuk kam shkuar atje si person në dijeni. Unë nuk i kam dit në politikë sa mëkate ke ti.”



