“Ti mund të fitosh më shumë po të luash me mua”, del SMS e Fatos Nanos, si u tentua të “blihej” Lezha nga PS-ja; gazetari i njohur: Kërkoi arrestimin tim në Kuvend

Gazetari dhe botuesi Nikoll Lesi ka rrëfyer në emisionin “Top Story”,
tw Grida Dumës, një episod nga vitet e tranzicionit,
kur kryeministër i Shqipërisë ishte Fatos Nano.
Ai tregoi se si ish-kreu i qeverisë kishte tentuar ta afronte me ekipin e tij,
ndërsa kandidonte si deputet i pavarur në Lezhë, një zonë ku Partia Socialiste e kishte të vështirë të fitonte.
Sipas Lesit, në telefonin e tij kishte mbërritur një mesazh nga Nano, përmes të cilit i kërkohej të bëhej pjesë e ekipit të tij, me premtimin se do të përfitonte më shumë financiarisht.
“Ti mund të fitosh më shumë po të luash në ekip me mua”, ishte mesazhi që, sipas gazetarit, i kishte dërguar ish-kryeministri.
Lesi tha se nuk e kishte pranuar këtë ofertë dhe se, gjatë kohës që ishte deputet, nuk kishte nguruar t’ua shprehte hapur qëndrimet e tij kryeministrave, edhe kur ato binin ndesh me mendimin e tyre.
“Ne kemi eksperiencë të dy. Ju keni qenë deputete në PD. (I drejtohet Gridës) Unë kam qenë deputet i pavarur në zonë të lirë nga Partia Socialiste në Lezhë. PS nuk e fitonte dot Lezhën, sepse Lezha ka qenë gjithmonë e djathtë. Edhe në zgjedhjet e fundit fitoi 4-3 PD-ja.
Dhe zgjodhi një figurë PS për interesat e vet dhe unë natyrisht kisha ambicien për të thënë fjalën time si gazetar, si botues në parlament. Në të gjitha rastet që kam menduar se qëndrimi im nuk përputhet me të kryeministrit, i kam thënë në sy kryeministrit, kush ka qenë, kushdo që ka qenë, mendimin dhe qëndrimin tim”, tregoi Lesi.
Gazetari rrëfeu më tej se përplasja me kryeministrin kishte përfunduar me një kërkesë për heqjen e imunitetit të tij dhe arrestimin, me pretendimin se kishte kryer shpifje.
“Erdhi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Unë i thashë që ti duhesh rrëzuar. Dhe ngriti kryeministri kërkesë për heqje imuniteti se kisha shpifur. Çfarë kisha shpifur unë? Erdhi edhe prokurori i përgjithshëm, edhe furgoni i policisë së burgjeve”, deklaroi Nikoll Lesi.
Sondazh



