Skema e narkotrafikut në aeroporte që po merr në qafë shumë të pafajshëm: Historia e biznemenit kanadez në Shqipëri

Nga Class• 17 November 2026

Skema e narkotrafikut në aeroporte që po merr në qafë

Një skemë e organizuar kontrabande, e mbështetur te bashkëpunimi i punonjësve të korruptuar

 të aeroporteve, po u shkatërron jetën udhëtarëve të pafajshëm.

Duke ndërruar etiketat e valixheve, trafikantët u atribuojnë atyre sasi të mëdha droge,

 duke i ekspozuar ndaj arrestimeve dhe dënimeve të rënda në vende të huaja.

Udhëtarë të pafajshëm nga Kanadaja kanë përfunduar në burgje jashtë vendit, pasi punonjës të korruptuar aeroportesh kanë zhvendosur etiketat e bagazheve të tyre në valixhe të mbushura me drogë. Kjo skemë, e cila po ekspozohet gjithnjë e më shumë në Kanada, nuk është një fenomen i izoluar.

Ajo zbulon një dobësi serioze në sigurinë e aeroporteve ndërkombëtare. Sistemet e gjurmimit të bagazheve, nuk janë projektuar për të parandaluar manipulimin e qëllimshëm të etiketave nga vetë personat që kanë akses në zonat e rezervuara.

Viktima e fundit e identifikuar në këtë skemë është një biznesmen nga Toronto, i cili gjatë verës udhëtoi drejt Shqipërisë me një nga fluturimet e para direkte të kompanisë Air Transat nga aeroporti Toronto Pearson drejt Tiranës.

Sot ai rrezikon deri në 15 vjet burg, pasi autoritetet shqiptare zbuluan një valixhe me 23 kilogramë kanabis, të pajisur me një etiketë që mbante emrin e tij. Biznesmeni këmbëngul se valixhja nuk i përkiste atij.

 

Në tetor, Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) e informoi se dyshonte që ai kishte qenë viktimë e një manipulimi të etiketës së bagazhit. Rasti u bë pjesë e një hetimi pesëpjesësh të emisionit investigativ W5 të televizionit kanadez CTV News, i cili identifikoi më shumë se dy duzina raste të ngjashme.

Pothuajse të gjitha kishin si pikënisje aeroportin Toronto Pearson, më i madhi në Kanada. Përmasat e skandalit shkaktuan reagim të madh publik. Sipas të dhënave të Google Trends, kërkimet në Kanada për frazën “ndërrimi i etiketave të bagazheve në aeroport”, u rritën me 800 për qind brenda pak orësh, duke kaluar 10.000 kërkime.

Si funksionon skema

Mekanizmi është i thjeshtë, por pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Një punonjës i korruptuar në zonën e përpunimit të bagazheve heq etiketën nga valixhja e një pasagjeri të pafajshëm dhe e vendos atë në një tjetër, të mbushur me drogë, që udhëton drejt të njëjtit destinacion.

Në aeroportin e mbërritjes, një korrier pret të marrë ngarkesën. Nëse dogana e zbulon drogën përpara se ajo të merret nga trafikantët, gjurmët e bagazhit çojnë te pasagjeri, emri i të cilit figuron në etiketë. Pasojat për viktimat kanë qenë dramatike.

Një shtetas kanadez kaloi 24 net në burg në Filipine, pasi u akuzua për importimin e 24 kilogramëve metamfetaminë. Një tjetër u ndalua në aeroportin Narita të Japonisë, ku u zbulua një ngarkesë prej 21 kilogramësh të së njëjtës drogë, e lidhur me emrin e tij.

Në një rast tjetër, dy pasagjerë që udhëtonin drejt Gjermanisë u mbajtën për 12 orë në aeroportin Pearson, pasi etiketat e tyre u gjetën në bagazhe që përmbanin 33 kilogramë kanabis. Të dy u liruan pa akuza, raportoi CTV News.

Faktin që bëhet fjalë për një problem të njohur dhe të vazhdueshëm, e dëshmon edhe një proces gjyqësor në Brampton të Kanadasë. Një gjyqtar e liroi një udhëtar nga akuzat pasi dëgjoi dëshmitë e dy oficerëve të RCMP-së dhe një zyrtari të Agjencisë Kanadeze të Shërbimeve Kufitare.

Sipas vendimit, të tre e kishin përshkruar ndërrimin e etiketave në aeroportin Pearson si “një problem të njohur dhe të vazhdueshëm”. Ndërkohë, RCMP i tha emisionit W5 se gjatë 5 viteve të fundit ishin arrestuar 16 punonjës të aeroportit Pearson, të paktën pesë prej tyre në lidhje me manipulimin e etiketave të bagazheve.

Një skemë që i kapërcen kufijtë e Kanadasë

Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në vende të tjera. Në mars të vitit 2023, dy gra braziliane që udhëtonin nga aeroporti ndërkombëtar Guarulhos i São Paulos u arrestuan në Frankfurt të Gjermanisë, pasi në bagazhet e etiketuara me emrat e tyre u zbuluan rreth 40 kilogramë kokainë. Valixhet e tyre të vërteta kishin humbur. Pamjet filmike të siguruara më vonë, treguan punonjës në aeroportin Guarulhos duke manipuluar bagazhet dhe duke ndërruar etiketat. Dy gratë kaluan 38 ditë në një burg të Frankfurtit, përpara se Policia Federale e Brazilit t’u dërgonte autoriteteve gjermane prova që vërtetonin pafajësinë e tyre.

Më pas, policia braziliane lëshoi 16 urdhër-arreste kundër anëtarëve të një rrjeti kontrabande që përdorte punonjës aeroportesh për të realizuar skemat e tij. Edhe rastet që lidhen me udhëtarët kanadezë janë shtrirë në kontinente të ndryshme.

Në Zelandën e Re, një burrë i dënuar pasi në bagazhet e lidhura me udhëtimin e tij nga Toronto në Auckland, përmes Dubait, u gjetën 23 kilogramë metamfetaminë, po e apelon vendimin. Ai pretendon se raportimi investigativ i W5 do të jetë një element i rëndësishëm në përpjekjen e tij për të provuar pafajësinë.

Përgjegjësia që askush nuk dëshiron ta marrë përsipër

Një nga problemet kryesore që e bën të mundur këtë skemë, është mungesa e një institucioni të vetëm që mbikëqyr të gjithë procesin e transportit të bagazheve. Përgjegjësitë janë të shpërndara mes kompanive ajrore, operatorëve të shërbimit tokësor dhe autoriteteve aeroportuale, duke krijuar hapësira ku manipulimet mund të kryhen pa u zbuluar menjëherë.

Autoriteti i Aeroporteve të Torontos, ka deklaruar se punonjësit që merren me bagazhet punësohen ose kontraktohen nga vetë kompanitë ajrore. Ai thekson se nuk administron dhe as nuk mbikëqyr sigurinë e bagazheve.

Nga ana tjetër, Air Canada shpjegon se transporti i tyre kalon përmes një rrjeti kompleks infrastrukture, të administruar dhe mbikëqyrur nga disa palë të treta. As institucionet shtetërore nuk e marrin përsipër drejtpërdrejt këtë përgjegjësi.

Transport Canada, argumenton se hetimi i trafikut të drogës nuk bën pjesë në mandatin e Autoritetit Kanadez të Sigurisë së Transportit Ajror, i cili përqendrohet te kërcënimet ndaj sigurisë së aviacionit.

Ndërkohë, viktimat kanë nisur të kërkojnë përgjegjësi për dëmet e pësuara. Avokati nga Toronto, Paul Miller, përfaqëson 11 shtetas kanadezë dhe kërkon dëmshpërblime që variojnë nga 100.000 deri në 1 milion dollarë kanadezë për secilin rast. Në shumicën e padive, ai synon të përfshijë kompanitë ajrore, Transport Canada dhe autoritetin aeroportual.

Megjithatë, ofertat e deritanishme të kompensimit kanë qenë modeste. Cathay Pacific i ka ofruar një pasagjereje rreth 22.000 dollarë kanadezë, afërsisht gjysmën e shpenzimeve të saj, ndërsa WestJet i ka propozuar një tjetre një kredi udhëtimi prej vetëm 300 dollarësh kanadezë.

Kërcënimi që vjen nga brenda

Problemi më i madh, lidhet me sigurinë e punonjësve që kanë akses në zonat e kufizuara të aeroporteve. Gjatë dy dekadave të fundit, aeroportet kanë forcuar ndjeshëm kontrollet ndaj pasagjerëve, por personat që punojnë në përpunimin dhe transportimin e bagazheve nuk i nënshtrohen gjithmonë të njëjtit nivel mbikëqyrjeje.

Ulisses Botelho, ish-hetues i krimit të organizuar në RCMP, e konsideron korrupsionin e brendshëm një element thelbësor për funksionimin e rrjeteve të kontrabandës. “Pa të, kjo skemë nuk ekziston”, deklaroi ai për W5.

Edhe Dieter Boeheim, ish-hetues në njësinë e inteligjencës së aeroportit të Torontos, ngre shqetësime për mënyrën se si kontrollohen punonjësit. Sipas tij, aeroporti Pearson ka rreth 4.000 kamera sigurie, por prania e tyre nuk mjafton nëse pamjet nuk monitorohen në kohë reale dhe nëse lëvizjet e punonjësve nuk gjurmohen me saktësi.

Ai thekson gjithashtu se punonjësit mund të ndërrojnë turnet pa pasur gjithmonë një regjistrim të qartë të ndryshimeve në oraret e punës. Për pasojë, bëhet e vështirë të përcaktohet se kush ka pasur përgjegjësinë për ngarkimin e një avioni të caktuar.

Paralajmërimi i Boeheim shkon përtej trafikut të drogës. E njëjta skemë manipulimi mund të shfrytëzohet për të futur në një avion edhe lëndë shpërthyese. “Unë mund të përdor të njëjtin proces dhe të vendos një kilogram eksploziv në të njëjtin avion”, paralajmëron ai.

Në këtë mënyrë, ajo që në pamje të parë duket si një skemë për trafikimin e drogës, ekspozon një problem shumë më të madh: cenueshmërinë e sigurisë së aviacionit nga vetë njerëzit që duhet ta garantojnë atë.

Për udhëtarët e pafajshëm, një etiketë e ndërruar mund të nënkuptojë vite burg, shkatërrim të reputacionit dhe humbje të jetës që kishin ndërtuar. Për aeroportet dhe kompanitë ajrore, është një paralajmërim se siguria nuk mund të garantohet vetëm duke kontrolluar pasagjerët, ndërsa lihen të pambikëqyrura pikat më të ndjeshme të sistemit./Pamfleti nga “The Aviation Hub”