Shqipëria në BE deri në 2030, Rama: Ua kam thënë para se ta thoshte Marta Kos! Të papriturat s’i kemi

“Si mund të jetohet duke pasur druajtje nga gjërat që s’i kontrollon ti? Nuk jetohet dot.
Për më tepër që fati, rasti e solli që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra shumë të rënda,
që s’i kam pasur dhe s’i ka askush në dorë. Tërmet, bie tërmeti dhe duhet të rikonceptosh
gjithçka që ke planifikuar, se duhet fokusuar energjia e shtetit tek ata që goditen nga tërmeti.
Vjen pandemia, duhet të rimendosh gjithçka, se duhet të përballesh me diçka që s’e parashikoje dot. Plas një luftë larg nga këtu, vjen rritja e çmimit të energjisë, edhe këtu duhet të rikonceptosh çfarë ke planifikuar.
Kjo është jeta dhe një kryeministër të famshëm të Britanisë së Madhe, kur e pyetën nga çfarë ke frikë, tha: ‘Nga ngjarjet’, se vetëm ato nuk i planifikojmë dot. Duke qenë se unë u bëra më gjatë se ai në detyrë, nuk mendoj për çfarë nuk kam në dorë. Ajo që kemi në dorë është të bëjmë detyrën tonë.
Unë vazhdoj me sloganin e Loro Boriçit, që kur vajti në Kinë t’u mësonte futboll kinezëve, filloi shiu, kinezët ikën me vrap se s’e dinin që futboll luhet në shi. ‘Shiu ka punën e vet’, u tha, ‘ne kemi punën tonë’.
Puna do na nxjerrë në dritë, thonin rilindësit. Ne do bëjmë detyrat dhe do t’i bëjmë edhe më mirë. Shi apo diell, ne s’e kemi në dorë. Por sot dera e BE-së është e hapur dhe sot, si asnjëherë më parë, edhe kushtet janë që ne ta kapërcejmë pragun. Por ne duhet të nxitojmë, se ajo derë mund të mbyllet, jo për arsyen tonë, por…
Ua kam thënë kur as Marta nuk e thoshte, 2030 është viti që duhet të kemi ndër mend sa herë merremi me politikë. 2030 në BE, të tjerat vijnë pas kësaj.”



