Shqipëria mbyll kapitullin 20 të integrimit në BE! Rama: Le ta tundim këtë vend, situata në Shqipëri ndryshe nga sa duket online

Nga Class• 13 October 2026

Shqipëria mbyll kapitullin 20 të integrimit në BE! Rama: Le ta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Shqipëria ka mbyllur kapitullin e 20-të

në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Gjatë konferencës ndërqeveritare me BE-në, Rama e cilësoi këtë një tjetër

hap përpara në rrugën drejt integrimit, duke theksuar se objektivi i qeverisë është

të përshpejtojë procesin dhe të mbyllë të paktën dyfishin e kapitujve brenda këtij viti.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe tek projekti i kundërshtuar për Zvërnecin dhe ishullin e Sazanit, duke thënë se situata është ndryshe nga sa paraqitet online. Duke iu përgjigjur gazetarit në sallë, i cili e pyeti për arrestimin e kreut të SHISH Vlora Hysenin, kryeministri tha se askush nuk është mbi ligjin dhe se sistemi ka nisur të funksionojë.

“Sot Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në vendin e saj në Bashkimin Evropian. Mbyllja e kapitullit 20 është një njohje për reformat e ndërmarra nga Shqipëria. Ky kapitull bëhet i katërti që mbyllet brenda pak muajsh. Ne duam së paku të bëjmë 2-fish. Kështu që le ta tundim këtë shtëpi, le ta bëjmë realitet. Sigurisht ne jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet vetëm me numrin e kapitujve të mbyllur, e dimë që progresi matet mbi të gjitha me reformat e kryera. E dimë që kemi ende rrugë të gjatë përpara. Në të njëjtën kohë pres me padurim të mbahet samiti i ardhshëm i planit të rritjes dhe deri atëherë do kemi bërë edhe më shumë progres.

Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri, sepse kur e sheh nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh, dhe po ta shihni me kaq filtra të medias online, do të jeni të paqartë. Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën.

Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim. Mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet.

Mund ta kuptoni shumë mirë se çfarë nënkupton kur flasim për situata kur drejtësia bën punën e vet. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, në këtë vend njiheshim si ‘atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë’. Vijmë këtu sot dhe njihemi si një prej vendeve pararojë, edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, tha Rama.