SHOWBIZ / E Premte 8 Dhjetor 2023, 03:03

Angelia Jolie do të largohet nga Hollywood, por cila është arsyeja?

Angelia Jolie është një prej aktoreve më të njohura në botë, me një karrierë që zgjat prej dekadash, e megjithatë duket se ajo e ka mbyllur me Hollywood-in, ndërsa në një intervistë për "Wall Street Journal" ka pranuar jo vetëm se do të largohet nga ky ambient, por nëse do të përfshihej në industrinë e filmit për herë të parë në vitin 2023, as nuk do e mendonte që të bëhej aktore. 

Jolie thotë se gjithnjë ka dashur të aktrojë në skenë, megjithatë një karrierë kaq të gjatë në film, sidomos në Hollywood nuk e kishte menduar kurrë se do ta kishte, ndërsa shprehet se po ashtu nuk e priste që të ndante kaq shumë me publikun, sa c'ka ndarë gjatë këtyre viteve. 

Cka ka ndikuar për keq tek aktorja është padyshim edhe vëmendja dhe vëzhgimi intensiv nga njerëzit dhe media pas divorcit të zhurmshëm nga Brad Pitt, që nisi gati 7 vite më parë. Aq stres rrëfen Jolie që ka kaluar, sa në xirimet e "Maleficent: Mistress of Evil", në vitin 2018, vuri re se zëri i saj kishte ndryshuar, të paktën që prej kohës kur kishte interpretuar për herë të parë këtë rol.

Në lidhje me këto ndryshime, ajo thotë: "Trupi im reagon fuqishëm ndaj stresit. Sheqeri në gjak shkon lart e poshtë. Pastaj pata papritur paralizën Bell (paralizë e fytyrës) gjashtë muaj para divorcit. E kam vuajtur shumë". 

Ndërkohë, sa i takon largimit nga Hollywood, jo vetëm si "vend pune", por edhe si ambient, Angelia thotë se jetesa në Los Angeles e ka bërë që mos ketë më jetë sociale, për shkak se është në vëmendje gjatë gjithë kohës dhe nuk mund të largohet as nga rezidenca e saj. Për këtë arsye mendon të ikë dhe të kalojë më shumë kohë në shtëpinë e saj në Kamboxhia.
 
“Kam humbur aftësinë për të jetuar dhe udhëtuar lirshëm. Do të lëviz kur të mundem. Jam rritur në një vend mjaft të vogël krahasuar me të gjitha vendet në botë, por mendoj se Hollywood-i nuk është një vend i shëndetshëm.”- thotë aktorja në intervistën e fundit.