
Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar përmes një postimi në Instagram pas vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Skënderaj ka shprehur trishtim dhe revoltë për vendimin, duke thënë se sipas tij, ai nuk prek vetëm individët e dënuar, por edhe mënyrën se si lufta e UÇK-së dhe historia e saj perceptohen nga shqiptarët.
Në reagimin e tij, këngëtari e përshkruan luftën e UÇK-së si një përpjekje për liri dhe mbrojtjen e popullsisë së Kosovës përballë dhunës, dëbimeve dhe masakrave gjatë luftës.
“Sot ndiej revoltë dhe trishtim të thellë. Ky vendim më dhemb dhe më indinjon”, shkruan Skënderaj, duke shtuar se nuk dëshiron të heshtë përballë asaj që ai e konsideron padrejtësi.Në fund të reagimit, ai u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestë kundër vendimit.
“Sot jam i revoltuar. Jam i lënduar. Dhe mbi të gjitha, nuk dua të hesht! Të bashkuar të protestojmë kundër kësaj padrejtësie”, përfundon ai.
