Rrjeti i Erion Veliajt nën hetim: Nga bizneset e Tiranës te financimi i protestave të dhunshme

Komunikimet e kryebashkiakut me protagonistë të protestave dyshohet se
ndikuan në transferimin e tij nga Durrësi në Fier.
Në dosjen që po përgatitet shfaqen biznesmenë të promovuar nga Bashkia e Tiranës,
mes tyre edhe Luan Bregasi…
Përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt nuk ka nisur tani. Ajo u shfaq vite më parë, kur kryeministri e përdorte publikisht kryebashkiakun si “bojaxhi” për lyerjen e pallateve pas tërmetit të vitit 2019. Pas vitit 2024, kur Veliaj dyshohet se iu bashkua një loje ndërkombëtare për zëvendësimin e kreut të mazhorancës, lufta mes tyre u ashpërsua.
Me përfundimin e zgjedhjeve të vitit 2025, Edi Rama ndërmori një aksion kundër rrjetit të bizneseve që kishin zaptuar hapësirat publike. Sipas informacioneve, një pjesë e këtyre subjekteve shërbente edhe si burim financimi për rrjetin politik dhe ekonomik të Erion Veliajt.
Marrëdhëniet u acaruan më tej gjatë protestave të flamingove, sidomos pas episodeve të dhunshme dhe vandalizmit që përfshinë disa zona të kryeqytetit, përfshirë edhe godinën e Bashkisë së Tiranës.
Sipas burimeve të “Pamfleti”-t, autoritetet kanë zbuluar një rrjet komunikimi dhe financimi të protestave, me lidhje të drejtpërdrejta me njerëz pranë Veliajt. Komunikimet e kryebashkiakut me disa prej protagonistëve dyshohet se ndikuan edhe në vendimin për ta transferuar nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.
Lista e kontakteve të Veliajt nuk është e shkurtër. Në të shfaqen persona që ai i ka promovuar, emëruar në poste të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës ose mbështetur në aktivitetet e tyre ekonomike.
Një prej emrave është biznesmeni Luan Bregasi, i cili likuidoi një nga asetet më të njohura dhe tradicionale të ekonomisë shqiptare, fabrikën “Birra Tirana”.
Fabrika sot është kthyer në gërmadhë, ndërsa pronarët synojnë ta përdorin truallin për ndërtim. Shqipëria humbi kështu një nga markat më të njohura dhe më të pëlqyera të prodhimit vendas.
Mbyllja e fabrikës largoi nga puna disa prej punëtorëve dhe teknologëve më të kualifikuar të industrisë. Ata dhe familjet e tyre kaluan një periudhë të rëndë ekonomike dhe sociale. Disa prej ish-punonjësve humbën jetën në rrethana tragjike, ndërsa të tjerë vazhdojnë betejat gjyqësore me Bregasin dhe administratorët e kompanisë.
Administrata tatimore e ka denoncuar subjektin si një nga debitorët dhe evazorët më të mëdhenj fiskalë. Edhe Edi Rama e ka përmendur disa herë këtë çështje, duke akuzuar Prokurorinë e Tiranës për mungesë veprimi.
Ndërkohë, një projekt për kullë që Bregasi planifikon të ndërtojë në zemër të zonës së Komunës së Parisit është riaktivizuar nga Bashkia e Tiranës. Këshilli Kombëtar i Territorit e rrëzoi projektin rreth dy vjet më parë, por dosja ka hyrë përsëri në procedurë. Tashmë pritet vendimi i radhës i KKT-së, pas plotësimit të kërkesave të vendosura gjatë refuzimit të parë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Pamfleti, pikërisht rrjeti i bizneseve pranë Veliajt dyshohet se ka koordinuar financimin e protestave që nisën në qershor dhe përfunduan me episode të dhunshme në Tiranë.
Për këtë çështje thuhet se janë mbledhur prova dhe po përgatitet një dosje penale, e cila pritet t’u dërgohet organeve kompetente pas plotësimit. Nëse dosja përfundon në SPAK, hetimi do të përqendrohet te roli i Erion Veliajt në orientimin, financimin dhe koordinimin e veprimeve që shkaktuan dhunë dhe dëme në kryeqytetin që ai vazhdon të drejtojë formalisht deri më 9 maj./Pamfleti



