“Rama po keqpërdor RENEA-n për protestuesit!”- Poli Hoxha: Kryeministrit i kanë humbur nervat, më 28 Nëntor do të jetë finalja e madhe

Nga Class• 17 November 2026

“Rama po keqpërdor RENEA-n për protestuesit!”- Poli Hoxha:

Gazetari Poli Hoxha ka komentuar protestat kundër qeverisë dhe reagimin e institucioneve ndaj

 protestuesve, ndërsa ka kritikuar angazhimin e forcave speciale RENEA gjatë protestave.

I ftuar në News24, ai ka deklaruar se ky repart, RENEA është krijuar për

 ndërhyrje në situata të rënda kriminale dhe jo për përballjen me protestuesit.

“RENEA ishte i vetmi repart me reputacion që Rama, për hir të hallit ku ndodhet, po e keqpërdor tani. RENEA është për neutralizimin e elementit të armatosur dhe del vetëm për çështje madhore, për luftë me krimin apo terrorizmin. Ta nxjerrësh për këta të rinj protestues, më erdhi keq kur i pashë. Janë njerëz të investuar edhe nga ndërkombëtarët, me mjete e logjistikë”, u shpreh gazetari.

Ai tha se protestuesit janë organizuar dhe njoftojnë çdo ditë Policinë për zhvillimin e tubimeve, ndërsa sipas tij, mënyra se si autoritetet po reagojnë tregon pakënaqësinë e kryeministrit ndaj vijimësisë së protestave.

“Protestuesit janë pjekur dhe çdo ditë marrin leje në polici. Çdo ditë në mëngjes njoftojnë se do të ketë protestë. Këta duan t’i heqin protestuesit nga sheshi para Kryeministrisë. Mënyra si sillen, duke u tundur lejen e tubimit para policisë, tregon se Ramës i kanë humbur nervat ndaj protestës” tha ai.

Hoxha tha se kryeministri kishte pritur që protesta të shuhej ose të devijohej, por ajo po e ndjek nga pas në çdo aktivitet. Sipas gazetarit, pakënaqësia ka depërtuar edhe brenda Partisë Socialiste, ndërsa reagimet e fundit të qeverisë, në vend që ta dobësojnë lëvizjen, po i japin asaj më shumë forcë.

Ai u ndal te protesta mbarëkombëtare e thirrur më 28 Nëntor, duke e cilësuar këtë datë si një moment që mund të shënojë kulmin e protestave.

“Më 28 Nëntor besoj se do të jetë finalja e madhe”, përfundoi gazetari.