Përplasja mes Jonës dhe Doresës merr tjetër kthesë, publikohen screenshot-e të vjetra me akuza të forta

Konflikti mes Jona Krasniqit, banores së “Big Brother VIP Kosova 5”, dhe
influencueses Doresa ka marrë një tjetër kthesë, pas publikimit të disa
mesazheve të vjetra që përmbajnë fyerje dhe kërcënime për shpërndarjen e fotografive intime.
Materialet janë publikuar në llogarinë zyrtare të Jonës në Instagram, e cila menaxhohet nga persona të tjerë gjatë qëndrimit të saj brenda shtëpisë. Bëhet fjalë për disa screenshot-e që pretendohet se datojnë nga viti 2016 dhe i përkasin postimeve të Doresës në rrjetet sociale.
Në mesazhet e shkruara në gjuhën gjermane, të cilat janë shpërndarë të përkthyera, shfaqen komente fyese ndaj disa vajzave, si dhe paralajmërime për publikimin e materialeve private.
Një prej screenshot-eve, që pretendohet se është marrë nga një profil i vjetër në Snapchat, përmban një mesazh ku përmendet një vajzë me emrin Fatjona.
“Kam edhe një video si provë për Fatjonën, teksa puthet me një djalë në një parking. Edhe për vajzat e tjera të grupit do të dalë e vërteta. Qëndroni në pritje”, thuhet në mesazhin që faqja e Jonës ia atribuon Doresës.
Në një tjetër material, këtë herë nga Facebook, shfaqet një koment ku personi që e ka shkruar i drejtohet një vajze tjetër me fjalë të ashpra.
“Jemi të gjitha këtu në dhomë dhe po qeshim se sa qesharake je. Madje ke bërë një postim të veçantë për të treguar se sa e rëndësishme jam unë për ty. Edhe ti më ke kërkuar falje mua, derisa kuptova se çfarë gjarpri i pabesë je! Ki kujdes, sepse tani do të publikoj fotografi të zhveshura. Kjo duhet të jetë e mjaftueshme për ty!”, thuhet në komentin e publikuar.
Edhe një tjetër screenshot përmban pretendime të ngjashme, ku autori i mesazhit thotë se disponon fotografi intime dhe materiale të tjera që mund t’i publikojë.
“Nuk besohet, më kanë kërkuar falje! Të gjitha janë aq të pabesa. Për fat, gjithçka e kam ende të dokumentuar. Nuk do të them më asgjë, por kam screenshot-e me fotografi të zhveshura, të cilat m’i kanë dërguar miqtë e mi. Tani mbaroi loja!”, shkruhet në mesazh.
Në fund të një prej komenteve përdoret edhe shprehja “sapo të kthehem në shtëpi, do të bëhet lufta e Hitlerit”, ndërsa në materialet e tjera shfaqen fyerje me përmbajtje homofobike dhe gjuhë denigruese.
Publikimi i këtyre mesazheve vjen vetëm pak ditë pas përballjes së Jonës dhe Doresës gjatë spektaklit të së premtes, më 6 nëntor, në “Big Brother VIP Kosova 5”.
Konflikti mes tyre u rikthye në vëmendje në fillim të muajit, kur në rrjetet sociale qarkulluan komente të vjetra nga grupi i mbyllur në Facebook, “Albanische Mädels”, ku Jona kishte qenë një prej administratoreve.
Pas publikimit të atyre materialeve, Doresa reagoi në një intervistë për “Prive By LS”, ku akuzoi Jonën dhe persona të tjerë për bullizim gjatë asaj periudhe.
Ajo tregoi se komentet dhe sulmet e dikurshme kishin ndikuar në jetën e saj personale, ndërsa pretendoi se edhe vajza të tjera kishin kaluar përvoja të ngjashme.
Nga ana tjetër, Jona ka kundërshtuar versionin e Doresës, duke pretenduar se edhe ajo vetë kishte qenë objekt i bullizimit, fyerjeve dhe shpërndarjes së materialeve të manipuluara.
Dy vajzat u përballën publikisht gjatë spektaklit të fundit të “Big Brother VIP Kosova”, ku Doresa u lidh nga Gjermania, ndërsa Lejla Hoxha hyri në shtëpi për të diskutuar ngjarjet e së kaluarës.
Gjatë debatit, Jona shprehu gatishmërinë për t’u kërkuar falje disa vajzave për komentet e dikurshme, por jo Doresës, duke këmbëngulur se edhe kjo e fundit kishte qenë pjesë e sulmeve ndaj saj.
Tashmë, me publikimin e screenshot-eve të reja, personat që menaxhojnë llogarinë e Jonës po përpiqen të paraqesin një tjetër anë të konfliktit, duke pretenduar se edhe Doresa ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese në të kaluarën.
Megjithatë, autenticiteti i screenshot-eve, autorësia e mesazheve dhe konteksti i plotë në të cilin janë shkruar nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Për këtë arsye, ato mbeten pretendime të publikuara nga pala e Jonës dhe jo fakte të konfirmuara për sjelljen e Doresës.





Deri më tani nuk është bërë publik një reagim i Doresës ndaj këtyre materialeve të fundit.



