Osmani tregon çfarë pritet deri në fund të nëntorit

Nga Class• 18 November 2026

Osmani tregon çfarë pritet deri në fund të nëntorit

Pas dy javësh e gjysmë me reshje të vazhdueshme shiu, kryesisht me intensitet mesatar,

 vendi pritet të përballet me një dobësim gradual të tyre.

Megjithatë, kushtet atmosferike do të vijojnë të jenë të paqëndrueshme,

ndërsa reshjet do të mbeten të pranishme deri në fund të muajit.

Meteorologu Hakil Osmani deklaroi se parashikimet nuk tregojnë një intensifikim të reshjeve apo situata të theksuara problematike gjatë ditëve në vijim.

Sipas tij, një nga shqetësimet kryesore mbeten erërat e forta, të cilat në hapësirën detare kanë arritur shpejtësinë deri në 90 kilometra në orë, duke shkaktuar vështirësi në trafikun detar. Osmani theksoi se erërat e forta pritet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme, duke ndikuar veçanërisht në aktivitetin detar.

“Në ditët në vijim pritet një dobësim i intensitetit të reshjeve. Moti do të vijojë të mbetet i paqëndrueshëm, por aktualisht nuk ka sinjale për intensifikim të tyre apo për problematika të theksuara. Sa i përket hapësirës detare, erërat kanë arritur shpejtësi deri në 90 km/orë, duke sjellë probleme në trafikun detar. Edhe në vijim pritet të ketë erëra të forta, të cilat mund të shkaktojnë problematika të ndryshme, veçanërisht në aktivitetin detar”, u shpreh Osmani.

Sa i përket parashikimit për pjesën e mbetur të nëntorit, meteorologu sqaroi se reshjet do të jenë kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar. Zonat veriore pritet të regjistrojnë sërish sasi më të mëdha shiu, ndërsa në pjesën qendrore dhe jugore të vendit reshjet parashikohen më të dobëta.

“Për fat të mirë, sinjalet meteorologjike tregojnë se edhe pjesa e mbetur e muajit nëntor do të karakterizohet nga reshje shiu, por pa intensitete të larta. Reshjet do të jenë prezente, kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar. Zonat veriore pritet të jenë më të prekura, pasi edhe gjatë këtij muaji kanë regjistruar sasitë më të larta të reshjeve. Ndërkohë, zonat qendrore dhe jugore do të jenë më të mbrojtura, ku reshjet pritet të jenë kryesisht me intensitet të ulët”, tha meteorologu për “Report Tv”.

Osmani u ndal edhe te ndikimi i ndryshimeve klimatike në temperaturat e ajrit dhe reshjet atmosferike. Ai shpjegoi se ngrohja globale po favorizon rritjen e temperaturave, çka ndikon edhe në pakësimin e reshjeve të dëborës gjatë periudhave të caktuara, duke shtuar praninë e reshjeve të shiut.

“Ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale kanë ndikuar në rritjen e temperaturave të ajrit, duke bërë që në periudha të caktuara reshjet e dëborës të jenë më të pakta dhe të favorizohen reshjet e shiut”, përfundoi meteorologu.