Nga mashtrues e zhvatës, në shpifës: gjykata dënon Idajet Beqirin!

Nga Class• 26 November 2026

Nga mashtrues e zhvatës, në shpifës: gjykata dënon Idajet

Avokati Idajet Beqiri është dënuar për shpifje dhe fyerje

publike ndaj gazetarit Ferdinand Dervishi. Pas tre vitesh gjykim,

Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor Beqirin,

duke e dënuar me 200 mijë lekë gjobë.

Avokati Idajet Beqiri është dënuar për shpifje dhe fyerje publike nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, pas një procesi gjyqësor të iniciuar nga gazetari Ferdinand Dervishi.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë gazetari përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njofton se gjyqtari Altin Abdiu ka dënuar Beqirin me 100 mijë lekë gjobë për shpifje dhe 100 mijë lekë të tjera për fyerje.

Procesi gjyqësor kishte si objekt deklaratat e Beqirit gjatë një interviste të dhënë më 6 maj 2023 në Dritare TV, ku avokati kishte hedhur një sërë akuzash të rënda ndaj gazetarit, duke cenuar integritetin e tij profesional dhe personal.

Dervishi shprehet se vendosi t’i shkonte deri në fund çështjes gjyqësore, jo vetëm për të mbrojtur reputacionin e tij, por edhe për të kontribuar në luftën kundër fenomenit të shpifjes publike.

“Megjithë këshillat e shumë miqve që më thonin se nuk ja vlente të merresha me avokatin Idajet Beqiri, unë vendosa që çështjes t’i shkoja deri në fund me një qëllim të vetëm në mendje: të kontribuoja sadopak në spastrimin nga molepsja e shoqërisë sonë nga shpifësit dhe fyerësit publikë.

Pas tre vitesh gjykim dhe ndërrimin e një gjykatësi, përfundimisht gjyqtari Altin Abdiu doli me vendimin e pastër të dënimit të avokatit Beqiri, pa i lëvizur asnjë presje kërkesës së padisë sime”, shkruan Dervishi.

Një detaj që gazetari veçon nga seanca e fundit gjyqësore është qëndrimi i përfaqësuesit të prokurorisë, i cili kishte kërkuar rrëzimin e akuzave dhe shpalljen e pafajshëm të avokatit. Gjykata, ndërkohë, vendosi dënimin e Beqirit për të dyja kundërvajtjet penale.

“Interesante ishte se sot, në seancën e fundit, prokurori i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i rrëzoi të gjitha akuzat e mia, duke kërkuar pafajësi për avokatin Beqiri.

Inkurajoj, sidomos të gjithë personazhet publikë, që të ndjekin me seriozitet dhe deri në fund të drejtën e tyre kur të gjenden në të njëjtën situatë.

Shërbimi është shumë më tepër se individual”, shprehet gazetari.

Detajet e padisë

Në intervistën e majit të vitit 2023, Beqiri e kishte akuzuar gazetarin se vepronte në shërbim të interesave politike, se paguhej për qëndrimet e tij publike dhe se mbronte persona të përfshirë në ngjarje kriminale.

Madje, avokati kishte shkuar deri aty sa të insinuonte se gazetari kishte dijeni për ngjarje kriminale dhe se ishte dërguar në vendngjarje nga persona që kishin informacion paraprak për vrasjet.

Në kërkesën drejtuar gjykatës, Dervishi argumentonte se këto deklarata përbënin një sulm të rëndë ndaj reputacionit të tij, të ndërtuar gjatë më shumë se 25 viteve në gazetari.

“Me këto fjalë Idajet Beqiri tenton t’i përcjellë publikut, as më shumë dhe as më pak, një mendim shpifës sipas të cilit gazetari Dervishi ka qenë në vendin e ngjarjeve i dërguar atje nga dikush që e dinte se do të bëhej një vrasje.

Po të ndjekësh logjikën e tij, ajo që ai tenton të përcjellë te publiku është: ‘Gazetari Dervishi dërgohet në vendngjarje nga Sali Berisha, pasi ky i fundit e di se ku dhe kur do të ndodhin vrasjet’. Dhe kjo shpifje e Idajet Beqirit është shumë e rëndë dhe e rrezikshme”, thuhet në kërkesën për gjykim.

Një tjetër episod i përfshirë në procesin gjyqësor lidhej me akuzat e Beqirit se Ferdinand Dervishi ishte larguar drejt Greqisë, pas kërcënimeve të Fatmir Haklajt.

Gazetari, në kërkesën e tij për gjykim, ka shpjeguar rrethanat e largimit nga Shqipëria në vitin 1999, pas publikimit në revistën “Klan” të një investigimi mbi vrasjen e Azem Hajdarit.

Sipas Dervishit, pas publikimit të shkrimit, persona të dërguar nga Haklajt kishin kërkuar ta takonin. Në këto kushte, gazetari ishte këshilluar nga kolegu i tij Blendi Fevziu që të largohej përkohësisht nga vendi.

“Është e vërtetë se një apo dy ditë pas shkrimit, disa persona, të dërguar të Haklajve, kanë kërkuar takim me gazetarin Dervishi, të cilin nuk e njihnin. Kolegu Blendi Fevziu, i cili mund të pyetet si dëshmitar, si masë paraprake, e këshillon gazetarin Dervishi të mos duket disa ditë në redaksinë e revistës KLAN.

Në një moment të dytë, Fevziu e këshillon gazetarin Dervishi të merrte një vizë greke dhe më mirë të largohej. Kështu edhe ndodhi. Ferdinand Dervishi mori vizë, u largua në Greqi me makinën e vet, sigurisht me fytyrën që kishte në pasaportë dhe me veshje mashkulli, sepse në pikat e kalimit kufitar nuk kalon dot i maskuar si grua”, thuhet në dokumentin e publikuar nga gazetari.

Çfarë kërkoi Dervishi në gjykatë

Gazetari Ferdinand Dervishi iu drejtua seksionit penal të Gjykatës së Tiranës në cilësinë e viktimës akuzuese, duke kërkuar deklarimin fajtor të Idajet Beqirit për dy kundërvajtje penale: fyerje të kryer botërisht dhe shpifje të kryer botërisht, të parashikuara përkatësisht nga nenet 119/2 dhe 120/2 të Kodit Penal.

Si provë në proces u paraqit regjistrimi i intervistës së avokatit, e transmetuar në Dritare TV dhe e publikuar më pas në platformën YouTube.

Në argumentimin juridik, Dervishi theksonte se liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mburojë për përhapjen e deklaratave të rreme që cenojnë nderin, dinjitetin dhe reputacionin e një personi.

“Në rastin konkret autori nëpërmjet përhapjes së fakteve konkrete, por të paqena, apo çështjeve të pavërteta, që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, synon formimin e një opinioni negativ për viktimën akuzuese. I akuzuari kërkon njollosjen dashakeqe apo poshtërimin publik të tij. Fjalët me natyrë shpifëse lidhen përgjithësisht me vetë personin, familjen e tij apo me anën profesionale. I akuzuari e ka lidhur shpifjen e tij me anën profesionale duke goditur edhe moralisht viktimën”, argumentonte Dervishi në kërkesën për gjykim.

Pas tre vitesh përballjeje gjyqësore, procesi në shkallën e parë është mbyllur me dënimin e avokatit Idajet Beqiri për të dyja akuzat, me një gjobë totale prej 200 mijë lekësh, ose 2 milionë lekësh të vjetra.

Ky është rasti i radhës që e pëson avokati në fjalë. Pak kohë më parë atij ju hoq përkohësisht licenca për shkak se mashtornte dhe zhvaste njerëzit. Pra nga mashtrues e zhvatës, tani doli edhe shpifës.