Nderron jete ambasadori

Nga Class• 12 November 2026

Nderron jete ambasadori

Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Alexander Darchiev, ka ndërruar jetë

në moshën 66-vjeçare. Darchiev ishte emëruar ambasador në Uashington më 6 mars 2025,

me dekret të presidentit rus Vladimir Putin, duke zëvendësuar diplomatin Anatoly Antonov,

 i cili kishte përfunduar mandatin në tetor 2024.

Diplomati rus e mori këtë detyrë në një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara mes Moskës dhe Uashingtonit, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.

Kush ishte Alexander Darchiev?

I lindur më 14 maj 1960 në Hungari, në një familje diplomati, Darchiev studioi histori në Universitetin Shtetëror të Moskës, ku u diplomua në vitin 1983. Përpara se të hynte në shërbimin diplomatik rus në vitin 1992, ai punoi si studiues në Institutin për Studimet e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë pranë Akademisë së Shkencave.

Gjatë karrierës së tij, Darchiev u specializua në marrëdhëniet e Rusisë me Amerikën e Veriut. Ai punoi për disa vite në ambasadën ruse në Uashington, ku mbajti poste të rëndësishme diplomatike.

Nga viti 2014 deri në vitin 2021 shërbeu si ambasador i Rusisë në Kanada. Më pas u kthye në Moskë, ku drejtoi Departamentin e Amerikës së Veriut në Ministrinë e Jashtme ruse.

Përpara emërimit si ambasador në SHBA, Darchiev drejtoi gjithashtu delegacionin rus në bisedimet me përfaqësuesit amerikanë në Stamboll, në shkurt të vitit 2025. Këto diskutime synonin normalizimin e funksionimit të misioneve diplomatike të dy vendeve.

Emërimi i tij në Uashington u konsiderua pjesë e përpjekjeve për të ruajtur kanalet e komunikimit diplomatik mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht mosmarrëveshjeve të thella politike dhe të sigurisë.