LAJME / E Enjte 3 Gusht 2023, 18:06

Zgjaten me tre muaj hetimet për Alda Klosin

Avokati: Padrejtësisht në burg. Prokuroria nuk ka asnje provë

Hetimet për ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, Alda Klosi u zgjatën edhe me 3 muaj.

Ajo akuzohet për pastrim parash dhe deklarim të rremë të pasurisë. Ish-zyrtarja u prangos 6 muaj më pare, pasi sanitarja Rozeta Dobi, deklaroi se shumën prej 500 mijë Eurosh e kishte marrë nga banesa e Alda Klosit.

Avokati i saj, Arbër Hoxha, ngre pikëpyetje në lidhje me hetimet e prokurorisë. 

“Kanë kaluar më shumë se 4 muaj dhe akti i ekspertimit nuk është bërë ende gati. Duhet të ketë një dyshim të arsyeshëm në prova për të qëndruar në masën e sigurimit “arrest me burg”. Vullneti i Alda Klosit është që duhet rrëzuar vullneti i prokurorisë. Ndaj saj duhet të kishte disa prova dhe një dyshim të arsyeshëm. Nuk ka një hetim konkret për gjetjen e parave në shtëpinë e Rozeta Dobit.”

Avoakti bëri me dije se Alda Klosit i është refuzuar disa herë zbutja e masës së sigurisë, nga ana e gjykatës. Theksoi se klientja e tij duhet të lirohet nga qelia për shkak se ka fëmijët e mitur në kujdestari.

Emri i Alda Klosit përmendet edhe tek dosja voluminoze e ish-zëvëndëskryemnistrit Arben Ahmetaj.

“Ndaj Alda Klosit nuk ka asnjë procedim dhe as që ka dijeni për veprën penale, gjithë këto të tjerat duhet parë nëse ka diçka të vërtetë apo jo. Nuk ka procedim për inceneratorët dhe as për shumën e parave dhe as marrje në pyetje nga SPAK.”

Sanitarja Rozeta Dobi pas arrestimit së bashku me të birin Havier Dobi ka rrëfyer se në banesën e Alda Klosit kishin marrë shumën prej gati 500 mijë Euro. Gjatë përballjes mes tyre Alda Klosi pretendon pronësi vetëm të 120 mijë Eurove të cilat i ka të justifikuara edhe me dokumenta. Ndërsa pjesa tjetër e parave dhe disa buzhuteri, që u gjetën në tubin e aspirimit, ende nuk dihet se të kujt janë.