
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 53-vjeçar. Gegë Tefaj ishte shpallur në kërkim nga policia pasi kishte dhënë dëshmi të rreme për vrasjen e 47-vjeçarit Prek Tonaj. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 Shkurt të vitit të kaluar në lokalin e 53-vjeçarit.
“Gjykata e Shkodrës, me vendimin e datës 11.07.2022, ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ka dhënë dëshmi të rreme përpara prokurorit, për rrethanat e vrasjes së shtetasit Prek Tonaj, 47 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 13.02.2022, në lokalin e 53-vjeçarit”, njoftoi policia.

47-vjeçari Tonaj u vra teksa ishte ulur në një lokal në fshatin Grudë e Re. Policia tha se pas ngjarjes fshihet një histori e vjetër hakmarrjeje mes familjes Tonaj dhe Kësolla në Shkodër (Lexo më shumë).
Për këtë arsye si autor i ngjarjes u arrestua Eduart Kësolla. Ai është djali i Pal Kësollës, i vrarë nga fisi Tonaj në vitin 1996.
Vetë Pal Kësolla ishte personi i cili vrau vëllain e Prekë Tonajt, Nikollë Tonaj. Ngjarja në fjalë ndodhi në burg, në kohën e komunizmit./tvklan.al
