LAJME / E Diel 13 Shtator 2026, 09:09

VIDEO PAMJE / Vlora Çitaku bëri një gjest të madh ndaj Shqipe Selimit

Përqafimi që mori vëmendjen në “Marshin për Liri”, Vlora Çitaku bën gjestin ndaj Shqipe Selimit

Një moment i veçantë është regjistruar gjatë “Marshit për Liri” që u mbajt sot në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mesin e shumë figurave politike dhe publike të pranishme, vëmendje ka marrë një përqafim mes Vlora Çitakut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi.

Pavarësisht se PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur përplasje të vazhdueshme politike dhe qëndrime të kundërta për shumë çështje, në këtë organizim dallimet partiake janë lënë mënjanë për një moment.

Çitaku është afruar te Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, dhe e ka përqafuar atë, duke krijuar një prej momenteve që tërhoqi vëmendjen gjatë marshit.

Gjesti merr një domethënie të veçantë për faktin se Rexhep Selimi është njëri prej katër ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.

Shqipe Selimi është parë e emocionuar edhe gjatë momenteve të tjera të marshit, veçanërisht gjatë fjalimeve kushtuar luftës, dëshmorëve dhe ish-krerëve të UÇK-së.

Përqafimi mes dy politikaneve tregoi një moment solidariteti përtej dallimeve partiake, në një ditë kur mesazhi kryesor i organizimit ishte mbështetja për ish-krerët e UÇK-së.

“Marshi për Liri” mblodhi në Prishtinë qytetarë, familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, veteranë, përfaqësues politikë dhe figura të ndryshme publike.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tyre, ndërsa më 16 shtator pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në Hagë.

Në mesin e shumë pamjeve nga marshi, përqafimi mes Vlora Çitakut dhe Shqipe Selimit mbeti një prej momenteve që simbolizoi afrimin dhe solidaritetin pavarësisht dallimeve të mëdha politike mes partive që ato përfaqësojnë.