LAJME / E Enjte 7 Shtator 2023, 23:11

Veliaj: Kufizim i lëvizjes në mëngjes me nisjen e shkollës

Balla: Forcojmë sigurinë pranë këtyre institucioneve

Siguria e nxënësve në shkolla bëri bashkë në një takim Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla.

Veliaj njoftoi se nga dita e hënë, asnjë mjet i transportit të mallrave, nuk do lejohen të qarkullojë në orarin 07:00 – 09:00 të mëngjesit.

Erion Veliaj: Do të sigurohemi që orari 7 me 9 i dedikohet vetëm lëvizjes në shkolla. Gjithashtu, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 08:00 të darkës fadroma, betoniere, kamionë, trajlera, nuk do të lejohen.”

Në fokus bashkia ka sigurimin e ngrohjes për nxënësit.

Erion Veliaj: Ndërkohë që po afron stina e vjeshtës dhe e dimrit, fokusi ynë më i madh do të jetë te kaldajat. Do duhet t’ia bëjmë yzmetin që tani, që të përgatitemi për ardhjen e dimrit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla e vuri theksin edhe një herë tek lufta kundër krimit brenda dhe jashtë perimetrit të shkollave.

Taulant Balla: Duke filluar nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike dhe më pas me mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit, të armëve të ftohta, si dhe çdo vepër tjetër dhune, shfrytëzimi prostitucioni, apo pornografie, ne do t’i rrisim ndëshkimet ndaj gjithë keqbërësve që përfshihen në këto vepra penale brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.”

Në Tiranë, këtë vit pritet të hapen 10 shkolla të reja.