
Pas pak më shumë se tri vitesh në krye të Azerbajxhanit, Gianni De Biasi ka vendosur të japë dorëheqjen nga posti i trajnerit. Ai nuk nuk u kualifikua dot në Europianin e Gjermanisë, teksa e mbylli fushatën eliminatore në grupin F me 7 pikë në 8 ndeshje, i parafundit.
Nga viti 2011 deri në vitin 2017 ai ka qenë trajneri i Shqipërisë, njeriu që i kualifikoi kuqezinjtë për herë të parë në histori në finalet e një Kampionati Europian, konktretisht në “Francë 2016”.
Këto janë fjalët e tij të ndarjes: “Para se të filloj të flas, menjëherë them se kam marrë vendimin që të mos qëndroj më në këtë pozicion, edhe pse besoj se kam bërë një punë të shkëlqyer vitin e fundit. Skuadra ka treguar rritje të jashtëzakonshme, ka arritur rezultate që janë historike për Azerbajxhanin”.
Një lamtumirë, pavarësisht rrugës me suksese të moderuara: “Kemi grumbulluar 7 pikë në një grup me 5 skuadra, në kualifikueset e Europianit të ardhshëm. Kemi arritur pesë fitore radhazi, diçka që nuk kishte ndodhur më parë.
Kemi treguar kundër skuadrave të mëdha si Belgjika, në ndeshjen e parë, Austrisë dhe Suedisë se jemi në rrugën e duhur, se kemi ndërtuar një grup interesant lojtarësh, por për sa më përket mua do të ndalem këtu”.
De Biasi përfundoi kështu: "Kështu që unë largoj të gjitha dyshimet dhe hutimet nga ju. Jeni shumë të lirë të bëni të gjitha zgjedhjet që dëshironi dhe t’i çoni përpara të gjitha programet, por unë do të ndalem këtu. Faleminderit, jam i lumtur që ju takova, ishte një përvojë e mrekullueshme, shpresoja se mund të bënim shumë më tepër…”
Humbja 5-0 ndaj Belgjikës duket se e prishi raportin e mirë mes trajnerit italian dhe federatës azerbajxhanase. Gjë që duket edhe në fjalët e dorëheqjes së De Biasi: “E kisha thënë paraprakisht se ndeshja ndaj Belgjikës së mbushur me yje do të ishte e vështirë, ndaj një skuadre që ka fituar pothuajse çdo ndeshje, një ekip i madh.
Ne gjithashtu ishim mjaft reagues, por nuk ishim në gjendje të luanim siç dimë të bëjmë në shtëpi, ose siç dëshmuam kundër Suedisë. Pasi pësuam golin e parë, situata ishte tashmë e vështirë, më pas erdhi përjashtimi me karton të kuq dhe goli i dytë…"
